Në kuadër të vizitës që po zhvillon sot në Malin e Zi, ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, pati një takim me homologun Filip Ivanoviq.
Në konferencën e përbashkët për media, Hasani u shpreh se Shqipëria e konsideron Malin e Zi një aleat të pazëvendësueshëm.
“Bashkëpunimi mes dy vendeve tona ka shënuar një progres të dukshëm”, tha ai, teksa u shpreh besimplotë që ky bashkëpunim do të vijojë dhe me qeverinë e re.
Hasani gjithashtu vuri theksin te zbatimi i marrëveshjeve të nënshkruara në mbledhjen e dytë të përbashkët të dy qeverive.
Ai nënvizoi se, “ndërtimi i urës mbi Bunë, i shërben integrimit rajonal dhe qarkullimit më të mirë të mallrave”.
Teksa theksoi se, “ndërtimi i Autostradës Adriatiko-Joniane është një nga prioritetet tona strategjike”.
Të dy kryediplomatët folën edhe për të drejtat e pakicave përkatëse në Shqipëri dhe Mal të Zi.
“Shqipëria i ka dhënë minoritetit malazez vendin dhe vlerën që i takon”, tha Hasani, teksa vlerësoi rolin e faktorit shqiptar në Mal të Zi dhe rajon.
Edhe Ministri i Jashtëm malazez theksoi se është bërë përparim i dukshëm nga të dyja vendet në aspektin e të drejtave të pakicave.
“Jemi dakorduar që një segment i rëndësishëm i marrëdhënieve tona është avancimi i të drejtave të popujve pakicë në territorin e dy vendeve tona dhe lidhur me këtë kemi thënë që të dyja vendet në periudhën e kaluar kanë treguar devotshmëri të madhe në këtë drejtim”, tha Ivanoviq.
Kryediplomati shqiptar e cilësoi si shqetësues rolin e aktorëve si Rusia, që kërkojnë destabilizim të rajonit.
“E ardhmja e rajonit duhet të udhëhiqet nga një orientim i qartë euroatlantik”, tha ai.
Hasani u shpreh se të dyja vendet kanë detyrim të përbashkët të punojnë më shumë për të çuar përpara bashkëpunimin rajonal.
“Shqipëria tashmë është gati për Konferencën e dytë Ndërqeveritare. Avancimi i vendeve tona në procesin e integrimit është kontribut i vyer për mbarë rajonin”, theksoi ai, ndër të tjera.