Hasani në Zagreb: Anëtarësimi në BE, e ardhmja e vetme për Shqipërinë    / Foto: ATA

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme Igli Hasani, tha sot nga Zagrebi, ku ndodhet për një vizitë zyrtare, se duhet të bëhet maksimumi që i gjithë Ballkani Perëndimor të jetë sa më parë pjesë e Bashkimit Evropian.

Gjatë një konference të përbashkët për shtyp me homologun kroat, Gordan Gërliq-Radman, duke iu përgjigjur interesit të gazetarëve, Hasani u shpreh se e ardhmja e rajonit është BE-ja.

“Ka vetëm një të ardhme për Shqipërinë, anëtarësimi në BE. Qeveria, faktori politik dhe e gjithë shoqëria shqiptare nuk kanë asnjë mëdyshje mbi këtë të ardhme dhe ne mund të jemi ndër rastet unike, ku i gjithë spektri politik është proevropian”, tha Hasani.

“Ashtu si edhe për anëtarësimin në NATO, që ka të njëjtën mbështetjen, si sot edhe 15 vjet më parë. Ne do të vazhdojmë të kryejmë reformat sikur të anëtarësohemi nesër. Gjykojmë se duhet të bëjmë maksimumin që i gjithë Ballkani Perëndimor të jetë sa më parë pjesë e Bashkimit Evropian”, u shpreh Ministri Hasani.

Ministri Hasani po zhvillon vizitë zyrtare në Kroaci. Më herët, ministri Hasani u takua me Kryeministrin e Kroacisë, Andrej Plenkoviq. Më tej, kryediplomati i Shqipërisë zhvilloi një takim dhe konferencë për shtyp me ministrin e Punëve të Jashtme Gordan Gërliq-Radman. Ministri Hasani gjithashtu do të marrë pjesë në çeljen e ekspozitës fotografike “Shqiptarët në Kroaci”.

Kjo është vizita e parë zyrtare e Ministrit Hasani në Zagreb.

TRT Balkan / agjencitë