Ministri i Punëve të Jashtme i Polonisë, Radoslaw Sikorski, ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Shqipëri, ku deklaroi se përshpejtimi i zgjerimit të Bashkimit Evropian është një përparësi kyç e presidencës së ardhshme polake të BE-së.
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Igli Hasani, ka pritur në ambientet e ministrisë homologun e tij polak, vendi i të cilit do të mbajë presidencën e radhës të Bashkimit Evropian për gjashtë muajt e ardhshëm.
Pas takimit, dy ministrat mbajtën një deklaratë të përbashkët duke u fokusuar në çështjet e bashkëpunimit mes dy vendeve, procesin e integrimit evropian, presidencën e ardhshme polake të BE-së dhe çështje të tjera.
Hasani: Konferencën e Tretë Ndërqeveritare Shqipëri-BE-së, hap i rëndësishëm në rrugën drejt anëtarësimit
Ministri Hasani theksoi se gjatë takimit me ministrin Sikorski shkëmbyen mendime mbi forcimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe bashkëpunimin në fusha të ndryshme me interes të ndërsjellë.
"Diskutuam gjithashtu për bashkëpunimin shumëpalësh dhe zhvillimet e fundit në rajon dhe më gjerë, si dhe për rolin e rëndësishëm që Polonia luan në skenën ndërkombëtare. Një nga temat kryesore të diskutimit ishte intensifikimi i shkëmbimeve tregtare mes dy vendeve tona, si dhe eksplorimi i mundësive të reja të bashkëpunimit", tha Hasani.
Hasani e cilësoi Konferencën e Tretë Ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe BE-së, që u mbajt në Bruksel më 17 dhjetor, si hap të rëndësishëm në rrugën drejt anëtarësimit.
"Në dritën e zhvillimeve të fundit, veçanërisht luftës në Ukrainë, diskutuam për rëndësinë e përshpejtimit të integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian. Ky proces është jetik për sigurimin e stabilitetit dhe sigurisë në rajonin tonë, si dhe për një të ardhme të qëndrueshme dhe të begatë për të gjithë qytetarët tanë", tha Hasani.
Sikorski: Përshpejtimi i zgjerimit, përparësi kyçe e presidencës polake të BE-së
Kryediplomati polak tha se janë të vendosur të mbështesin integrimin në BE të Ballkanit Perëndimor dhe shtoi se mirëpresin rolin konstruktiv të Shqipërisë në rajon, ndërtimin e urave midis kombeve dhe angazhimin për marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë.
"Jemi aleatë të mirë në NATO dhe jemi të vendosur të intensifikojmë marrëdhëniet tona, qoftë ato politike, ashtu edhe ato ekonomike, sepse ka potencial të madh. Kemi dhe disa lidhje historike. Vlerësojmë pozicionin e qartë të Shqipërisë në raport me agresionin rus kundër Ukrainës dhe harmonizimin e plotë me politikën e jashtme dhe të sigurisë me BE-në", tha Sikorski.
Sikorski u shpreh se Polonia është një prej mbështetësve më të vendosura të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. "Përshpejtimi i zgjerimit të BE-së është një përparësi kyçe e presidencës polake dhe e shohim po kështu si një kompletim të natyrshëm të integrimit politik dhe ekonomik të Evropës", tha ai.
Polonia do të marrë në fillim të janarit të vitit 2025 Presidencën e radhës të Bashkimit Evropian.