Ministrja e Financave dhe e Ekonomisë e Shqipërisë, Delina Ibrahimaj, në një konferencë për mediat mbi ecurinë ekonomike në vend gjatë muajve të parë të vitit 2023, theksoi se numri dhe aktiviteti i bizneseve në Shqipëri ka vijuar të rritet.
Ibrahimaj foli në lidhje me treguesit e rritjes ekonomike, të ardhurat, punësimin, aktivitetet dhe numrin e bizneseve dhe qarkullimin e bizneseve.
"Për tremujorin e fundit të vitit rritja rezultoi 4,7 për qind, ndërkohë që ne vijojmë të mbajmë të njëjtën shifër për parashikimin e rritjes për vitin 2023, në nivelin 2,6 për qind. Rritja ekonomike në vend në vitin e kaluar ishte më e lartë se pjesa më e madhe e vendeve të rajonit", tha Ibrahimaj.
Ministrja Ibrahimaj theksoi se rritja ekonomike në vend në vitit 2022 rezultoi 4,8 për qind, sipas saj, ndjeshëm më e lartë se ajo që kishim planifikuar.
"Për sa u përket të dhënave për tremujorin e parë, të ardhurat kanë vijuar të rriten me ritme të përshpejtuara. Kemi pasur një rritje të të ardhurave në të gjithë sektorët e ekonomisë. Ndërkohë që dhe sipas sektorëve ne kemi pasur një ecuri të fortë të punësimit në ato sektorë që kanë ndikuar kryesisht më shumë në rritjen ekonomike", tha Ibrahimaj.
Ajo shtoi se ka pasur rritje të punësimit në sektorët e ndërtimit, prodhimit, transportit dhe në sektorin e tregtisë.
Ibrahimaj tha se aktiviteti, numri i bizneseve dhe qarkullimi i bizneseve ka vijuar të rritet.
"Aktiviteti i bizneseve për tremujorin e parë të vitit 2023 ka vijuar të jetë pozitiv. Në mars të vitit 2023 ne kemi 126.299 biznese, një shifër kjo me 4.506 biznese më e lartë sesa marsi i vitit 2022 dhe ndërkohë janë 905 biznese më shumë se fundviti 2022", tha ajo.
Ibrahimaj shtoi se presin që edhe gjatë tremujorit të dytë të vitit 2023 të ketë një ecuri të mirë të treguesve kryesorë të ekonomisë dhe që lidhen me aktivitetin ekonomik të vendit.