Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, deklaroi sot se Shqipëria është sot gati për Konferencën e Dytë Ndërqeveritare me BE-në.
Në një konferencë për shtyp në ambientet e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, mbi bilancin e punës së diplomacisë për vitin 2023 dhe pritshmërinë e vitit të ardhshëm, Hasani u shpreh se viti 2023 për diplomacinë shqiptare ka qenë periudhë e paprecedentë arritjesh dhe suksesesh.
“Në tri vitet e fundit, Shqipëria ka luajtur një rol të dorës së parë në forumet më të larta të politikës ndërkombëtare”, tha Hasani.
Ministri u shpreh se “mandati në Këshillin e Sigurimit, na u dha në një kohë jo të lehtë për politikën ndërkombëtare. Megjithatë, ia dolëm të kemi një performancë dinjitoze e të respektuar. Falë kësaj performance, ne gëzojmë sot respektin dhe admirimin e partnerëve”.
Hasani theksoi se “kandidaturat e Shqipërisë për KDNj dhe UNESCO u mbështetën masivisht”, teksa shtoi ai, “rival kishim Rusinë”.
“Në 2023 kishim një progres të ndjeshëm në procesin e integrimit europian. Puna e Shqipërisë në këtë drejtim është vlerësuar si një model suksesi për gjithë rajonin”, tha Hasani.
Ministri nënvizoi se “Shqipëria është sot gati për Konferencën e Dytë Ndërqeveritare”, teksa shtoi se, “presim lajme të mira në fillim të vitit 2024 sa u përket negociatave me BE-në”.
Gjithashtu, Hasani theksoi se bashkëpunimi me faktorin shqiptar në rajon është një tjetër arritje për vitin që po lëmë pas.
“Konsolidimi i mëtejshëm i bashkëpunimit me diasporën, prioritet kyç për 2024”, u shpreh ai.
Hasani shtoi se “Shqipëria krenohet me rritjen kontributit të saj në proceset rajonale”.
“Presidencat e nismave që marrim në 2024 do të ndihmojnë në thellimin e bashkëpunimit dhe integrimin rajonal”, tha ministri, teksa shtoi se, diplomacia ekonomike është në fokus të prioriteteve të MEPJ-së për 2024.
Hasani nënvizoi se “Shërbimi i Jashtëm do të punojë për të tërhequr sa më shumë projekte e investime”.
“Do të punojmë për të promovuar sa më mirë mundësitë që ofron Shqipëria. Po punojmë për projektimin e rrjetit të atasheve tregtarë dhe themelimin e Këshillit të Eksporteve”, tha ai.
Hasani u shpreh se “ristrukturimi i Shërbimit të Jashtëm është po ashtu një nga prioritetet tona për 2024”.