Indeksi vjetor për Perceptimin e Korrupsionit, i publikuar sot nga Transparency International, tregon se shumica e vendeve po dështojnë të ndalin korrupsionin në sektorin publik.
Indeksi analizon nivelin e perceptuar të korrupsionit në 180 vende dhe territore në botë, duke i vlerësuar me notë nga 0 deri në 100, me zero që nënkupton korrupsion të lartë dhe me 100 që nënkupton pastërti nga korrupsioni.
Mesatarja globale mbetet e pandryshuar më shumë se një dekadë, vetëm 43 pikë nga 100 të mundshme. Më shumë se 2/3 e shteteve kanë më pak se 50 pikë, ndërsa 26 shtete kanë arritur nivelin më të ulët vetanak këtë vit.
Ballkani Perëndimor në rrugë dykahëshe
Nga vendet e Ballkanit Perëndimor, Mali i Zi radhitet më së miri, në pozitën e 65-të nga 180 vende. Pas saj vijnë Kosova e radhitur e 84-ta dhe Maqedonia e Veriut e 85-ta.
Shqipëria dhe Serbia me pikë të njëjta ndajnë vendin e 101-të në radhitjen globale. Niveli më i lartë i perceptimit të korrupsionit në rajon është në Bosnjë e Hercegovinë, e cila radhitet e 110-ta në botë.
Mali i Zi 65
Kosova 84
Maqedonia e Veriut 85
Shqipëria 101
Serbia 101
Bosnjë e Hercegovina 110
Kosova e ka regjistruar përparimin më të madh krahasuar me vitin e kaluar nga vendet e Ballkanit Perëndimor, me ngritje për 2 pikë. Rritje kanë edhe Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria me nga një pikë.
Nga ana tjetër, Serbia, Bosnjë e Hercegovina dhe Mali i Zi kanë rënie krahasuar me 2021-shin. Më së shumti ka rënë Serbia – 2 pikë më pak krahasuar me vitin e kaluar – ndërsa Mali i Zi dhe Bosnjë e Hercegovina kanë rënë për nga një pikë.
Në përgjithësi, Danimarka është vlerësuar më së miri - me perceptimin më të ulët për korrupsionin në sektorin publik. Pas saj vijnë Finlanda dhe Zelanda e Re, të cilat ndajnë pozitën e dytë me pikë të njëjta. Norvegjia dhe Singapori përbëjnë pesëshen me më pak korrupsion sipas perceptimit.
Në anën tjetër, Somalia, Siria, Sudani, Venezuela dhe Jemeni janë vendet me korrupsionin më të lartë sipas perceptimit.