Shqipëri, për 8 muaj 36 % më shumë vizitorë në sitet kulturore/       Foto: ATSH

Nga janari deri në gusht të këtij viti në sitet kulturore në Shqipëri janë mirëpritur rreth 875.315 vizitorë, 36% më shumë krahasuar me vitin 2023.

Ministri i Ekonomisë, i Kulturës dhe i Inovacionit, Blendi Gonxhja, solli sot shifrat e vizitorëve që flasin për sezon të suksesshëm turistik edhe në sitet kulturore.

Kështu, janë 302.384 vizitorë në muzetë kombëtarë, +26% krahasuar me 2023; 340.296 vizitorë në parqe arkeologjike, +30% krahasuar me 2023 dhe 232.635 vizitorë në kala dhe monumente kulture, +30% krahasuar me 2023.

Fokus dhe prioritet i Ministrisë së Ekonomisë, të Kulturës dhe të Inovacionit, sipas Gonxhes është që t’i bëjnë këto site më tërheqëse, më të aksesueshme dhe një eksperiencë më e mirë për të gjithë vizitorët.

Ndër kalatë e parqet arkeologjike më të vizituara në vend janë Kalaja e Gjirokastrës, nga muzetë veçohet ai i Krujës dhe parqet arkeologjike të Shkodrës, Butrintit e Apolonisë.

TRT Balkan / agjencitë