KKSh: Diskriminimi i shqiptarëve në Serbi ka prekur kufijtë e racizmit / Foto: Facebook - Nevzad Lutfiu

Këshilli Kombëtar Shqiptar në Serbi nëpërmjet një aksioni simbolik në Komunën e Bujanocit i ka kërkuar Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë që ta zbatojë Kushtetutën e vendit.

Nëpërmjet aksionit simbolik para stacionit policor në Bujanoc, kryetari i këtij këshilli, Nevzad Lutfiu, ka kërkuar të merret parasysh çka thotë Kushtetuta për punësimin e pakicave në institucionet shtetërore të Serbisë.

Nëpërmjet rrjeteve sociale Lutfiu tha se “Neni 77 i Kushtetutës së Republikës së Serbisë thotë: Lidhur me punësimin në organet shtetërore, në ndërmarrjet publike, organet e krahinës, vetëqeverisjes lokale duhet të kihet parasysh përbërja nacionale dhe përfaqësimi proporcional i pakicave nacionale”.

Ai shtoi se numri i policëve shqiptarë është tejet i vogël, madje shumë prej tyre në Bujanoc janë afër pensionimit.

“As edhe një polic i pranuar në vitet e fundit nga komuniteti shqiptar. I bëjmë thirrje Bashkësisë Ndërkombëtare që ta kenë vëmendjen te gjendja e shqiptarëve në Serbi, sepse diskriminimi ka prekur kufijtë e racizmit”, ka theksuar Lutfiu.

Projekti i policisë multietnike në Luginën e Preshevës kishte nisur nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në vitin 2001 me qëllim kthimin e besimit të qytetarëve në organet shtetërore, duke përfshirë në mënyrë proporcionale pjesëtarët e komuniteteve të zonës.

Sipas Këshillit për të Drejtat e Njeriut të Luginës së Preshevës, shqetësuese është edhe përfshirja simbolike e shqiptarëve në strukturën komanduese dhe në administratën e policisë.

Policia multietnike është themeluar si rezultat i marrëveshjes së paqes të njohur si Marrëveshja e Konçulit në maj të vitit 2001, e nënshkruar nga përfaqësuesit e Shtabit të Përgjithshëm të UÇPMB-së dhe ata të Qeverisë së Serbisë, nën ndërmjetësimin e përfaqësuesve të NATO-s.

Që nga themelimi e deri më tani, dhjetëra policë shqiptarë janë larguar nga detyra, disa të suspenduar, një numër kanë ndërruar jetë dhe disa vullnetarisht janë larguar, ndërsa sipas përfaqësuesve të Luginës së Preshevës ky numër nuk është plotësuar asnjëherë më me shqiptarë.

AA