Komisari Varhelyi: Ne kemi filluar ta ndërtojmë Europën në Shqipëri. / Foto: ATSH

“Angazhimi i fortë i Shqipërisë në procesin reformues drejt BE-së bëri që javën e kaluar të hapnim grupin e parë të kapitujve negociues, themeloret, në kuadër të Konferencës Ndërqeveritare”.

Kështu shkruan Komisari për Zgjerim i BE-së, Oliver Varhelyi, në rrjetin social X, një javë pas vendimit historik për hapjen e negociatave me Shqipërinë për kapitujt themelorë.

“Ne i japim Shqipërisë gjithë mbështetjen për të përshpejtuar procesin e reformave, në mënyrë që vendi të jetë anëtar i BE-së deri në fund të mandatit të ardhshëm”, shkruan më tej Varhelyi.

Në videon e publikuar prej komisionerit shfaqen projektet dhe investimet e BE-së në Shqipëri, teksa komisari thotë se “ne kemi filluar ta ndërtojmë Europën në Shqipëri”.

“Bypassi i Vlorës që inaguruam, Kolegji i Europës, i pari në Ballkan etj., qoftë konektiviteti, qoftë energjia, qoftë mjedisi, qoftë trajtimi i ujërave apo i mbetjeve, në të gjitha aspektet e jetesës së përditshme, por mbi të gjitha plani i rritjes, do t’ju ndihmojë juve t'i përshpejtoni reformat që ju mundësojnë anëtarësimin”, deklaron Varhelyi.

Lista e rezultateve sipas tij është shumë e gjatë, por të gjitha këto erdhën sepse Shqipëria nuk hezitoi kurrë të bënte çdo gjë që kërkohet në rrugëtimin evropian.

TRT Balkan / agjencitë