Komisioni turk: Të lumtur për interesin e madh ndaj Türkiyes në RMV                                    Foto: AA

Kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme të Asamblesë së Madhe Kombëtare të Türkiyes (TBMM), Fuat Oktay, tha se janë shumë të lumtur kur shohin se ka një interes të madh për Türkiyen në Maqedoninë e Veriut.

Në ditën e dytë të vizitës së tij zyrtare në Shkup, Oktay u prit nga presidentja Gordana Siljanovska-Davkova në godinën presidenciale.

Fuat Oktay më vonë vizitoi shkollat ​​e Fondacionit Turk Maarif (TMV) në Shkup, ku u takua me përfaqësues të institucioneve turke në vend.

Duke folur për gazetarët, Oktay tha se ai dhe presidentja Davkova shkëmbyen mendime për marrëdhëniet Türkiye-Maqedonia e Veriut dhe çështjet rajonale.

Oktay tha se gjatë takimit patën mundësinë të vlerësojnë problemet e komunitetit turk në vend dhe rolin e Türkiyes në planet e ardhshme të Maqedonisë së Veriut, duke shprehur kënaqësinë e tyre që po shohin, sipas tij, një interes shumë intensiv ndaj Türkiyes në Maqedoninë e Veriut.

Oktay ka theksuar faktin se mes dy vendeve ka bashkëpunime në fusha të ndryshme, duke shtuar se presidentes Davkova i kanë përcjellë mendimet e tyre për krijimin e Këshillit të Lartë të Bashkëpunimit Strategjik.

“Ne jemi shumë të lumtur që shohim se ka një interes shumë intensiv për Türkiyen në Maqedoninë e Veriut. Ky interes nuk është vetëm një trashëgimi, kulturë dhe unitet i përbashkët që buron nga historia, një marrëdhënie farefisnore, por është edhe një marrëdhënie, një interes i vendosur që përmban një dëshirë për ta çuar këtë drejt së ardhmes”, tha Oktay.

Ai tha se gjatë takimeve të tij, krahas çështjeve rajonale, është biseduar edhe për tema globale, duke përfshirë situatën në Gaza, luftën Rusi-Ukrainë dhe Sirinë.

Oktay lavdëroi punën e shkollave Maarif në vend, duke theksuar se ato përbëjnë edhe një urë solide midis Türkiyes dhe Maqedonisë dhe Veriut, por edhe me rajonin e Ballkanit në përgjithësi.

Oktay theksoi se në Maqedoninë e Veriut ka investitorë seriozë turq dhe nënvizoi se vëllimi tregtar mes dy vendeve ka arritur në 1 miliardë dollarë dhe se objektivi i tyre është 2 miliardë dollarë.

Ai nënvizoi se ka parë një vullnet të fortë në të dyja anët për bashkëpunim, duke shtuar se si Komision parlamentar për Punë të Jashtme, janë të gatshëm të kontribuojnë fuqishëm në këtë drejtim.

Ndërkohë, Oktay u takua edhe me deputetë dhe politikanë turq në vend.

Gjatë takimeve të tij në Shkup, Oktay u shoqërua nga deputetja e AK Partisë nga Gaziantepi, Derya Bakbak, deputeti i CHP-së nga Düzce, Talih Özcan, deputeti i AK Partisë nga Gaziantepi, Ali Şahin, dhe ambasadori i Türkiyes në Shkup, Fatih Ulusoy.

TRT Balkan / agjencitë