Regjistrimi i popullsisë në Mal të Zi duhet të shtyhet dhe qeveria e re të gjejë një kompromis për të bërë transparent gjithë procesin, ky është përfundimi i tryezës së rrumbullakët "Regjistrimi - proces statistikor ose politik" të mbajtur në Fakultetin e Drejtësisë në Podgoricë.
Regjistrimi i popullsisë në Mal të Zi është caktuar për 1 nëntor. Për shkak të mosbesimit në komisionet e regjistrimit dhe mungesës së transparencës së procesit, partitë pro-Malit të Zi kërkuan një bojkot të regjistrimit, ndërsa komunitetet kombëtare të pakicave apeluan që regjistrimi të shtyhej.
Drejtori i Qendrës për Monitorim (CEMI), Zllatko Vujoviq, tha se çështja e regjistrimit është e ndjeshme në vende si Mali i Zi. Ai kujtoi rastin e Maqedonisë së Veriut, ku regjistrimi u shty për dhjetë vjet për shkak të ndjeshmërisë.
“Mosbesimi në institucione është i përhapur dhe të gjitha problemet rreth regjistrimit ishin lehtësisht të parashikueshme. Në një procedurë të paligjshme u shkarkua drejtori i Drejtorisë së Statistikave dhe u emërua në mënyrë të paligjshme një menaxhment i ri. Qëllimi është të merren të dhëna të besueshme, ndërsa a është e mundur varet nga më shumë faktorë”, tha Vujoviq, duke shtuar se ka një synim për të ndikuar në rezultat.
Ai theksoi se e gjithë fushata e regjistrimit tregon se ky proces është i politizuar.