Regjistrimi i popullsisë, i cili është planifikuar nga 1 deri më 15 nëntor, nuk do të shtyhet, tha kryeministri i Mali të Zi, Dritan Abazoviq.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, ai tha se regjistrimi nuk duhet të bëhet “spektakël”.
“Kemi 12 vjet që nuk kemi regjistrim, nuk ka më vonesë, regjistrimi është nga 1 deri më 15 nëntor”, tha Abazoviq.
Duke komentuar formimin e qeverisë së re, ai tha se nuk i pëlqen mënyra se si filloi procesi.
Abazoviq tha se lideri i Lëvizjes Evropë, Millojko Spajiq, ka marrë mandat dhe duhet ta udhëheqë procesin.
“Mënyra se si bëhet, para së gjithash, nuk është e ndershme dhe nuk është e mirë për Malin e Zi. Ata folën për depolitizimin dhe pastaj folën se kush duhet të marrë 40 për qind në thellësi. Ata thanë se Mali i Zi do të falimentojë në korrik dhe më pas në shtator. Unë jam kundër politikës manipuluese”, tha Abazoviq.
Siç ka thënë ai, që ai të jetë anëtar i qeverisë me Spajiqin në krye duhet një vizion dhe parime krejtësisht të ndryshme.
“Nëse ata janë të gatshëm ta pranojnë, atëherë nuk ka probleme”, tha Abazoviq dhe shtoi se do ta prezantojë planin e tij nëse Spajiq nuk arrin të formojë qeveri.
Shtyrjen e procesi të regjistrimi të popullsisë kanë kërkuar disa subjekte politike, mes tyre edhe kryetari i komunës së Tuzit dhe kryetar i Alternativës Shqiptare, Nik Gjeloshaj. Sipas tij drejtuesit në Drejtorinë e Statistikave nuk kanë njohuri elementare që procesi të zhvillohet sipas standardeve dhe ligjit, ndaj Qeveria duhet të reagojë urgjentisht dhe ta shtyjë regjistrimin për 30 ditë.
“Materiali për ftesën publike është dorëzuar në gjuhët malazeze, serbe, boshnjake dhe kroate. Materiali për thirrjen publike nuk është dorëzuar në gjuhën e mbetur zyrtare – shqip”, tha Gjeloshaj, dhe shtoi se Komisioni Komunal i Regjistrimit të Tuzit nuk mund t'i kryejë ligjërisht procedurat e regjistrimit.
Ndryshe, tha se Qeveria duhet ta zëvendësojë edhe menaxhmentin e Drejtorisë së Statistikave me ekspertë “që dinë dhe nuk kanë motive shoviniste”.