Konferencë rajonale në Beograd për energjinë e rinovueshme në Ballkan. / Photo: MIA

I dërguari i kryeministrit të Norvegjisë, Andreas Eriksen, u bëri thirrje sot vendeve të Ballkanit Perëndimor të bashkëpunojnë në fushën e energjisë dhe të gjejnë zgjidhje për futjen e një shkalle më të madhe të burimeve të rinovueshme të energjisë (BRE), si dhe arritjen e objektivave të tranzicionit të gjelbër.

Në Konferencën Rajonale “Mundësitë e Investimeve në Burimet e Rinovueshme të Energjisë në Ballkanin Perëndimor” të mbajtur në Pallatin e Serbisë në Beograd, ai ofroi ndihmën e Norvegjisë, kompanive të saj dhe përvojën që ata kanë në atë fushë si një vend që plotëson 90 për qind të nevojave për energji nga BRE-ja.

"Ne e gjejmë veten në një situatë dhe një kohë që fatkeqësisht është ajo që është. Sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës ka prodhuar një fatkeqësi humanitare dhe pasiguri në lidhje me furnizimin me gaz rus, gjë që ka çuar në ndryshime në treg dhe ndryshime çmimesh. Kjo çështje është në krye të agjendës së shumicës së vendeve, dhe në të njëjtën kohë përpjekjet tona për të gjetur një zgjidhje për ndryshimin e klimës është diçka për të cilën ne vazhdojmë të punojmë”, tha Eriksen në fillim të konferencës.

Rama: Takimi, një mundësi e shkëlqyer në kohë të duhur

Për kryeministrin e Shqipërisë konferenca e sotme ishte një mundësi e shkëlqyer dhe një mbledhje vërtetë e nevojshme në këtë kohë kur ndikimi i luftës në Ukrainë, kriza energjetike ka goditur inflacionin në Evropë e përtej saj, përfshirë vendet e rajonit.

“Nuk ka asnjë dyshim se në këto kohë kaq të vështira nga ajo që kemi thënë më parë, kur nisëm Ballkanin e Hapur, kur nxitëm për një bashkëpunimin më të gjerë rajonal, na duhet të rajonalizojmë tregjet tona sa i takon energjisë, na duhet të shkojmë përtej kufijve tanë”, deklaroi Edi Rama.

Ai më tutje tha se shpreson që ky bashkëbisedim të vazhdojë duke pasur me vete partnerët dhe miqtë norvexhezë për të mbështetur përpjekjet e tyre që të konceptohet një masterplan rajonal dhe udhërëfyes investimesh.

Vuçiq: Të veprojmë sa më shpejt

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, u shpreh i shqetësuar nga situata e krizës energjetike, dhe ftoi për angazhim serioz në mënyrë që të mos përballen me fatkeqësi të mëdha në të ardhmen.

“Nuk ka vendime të lehta, të thjeshta, por do të duhet të veprojmë sa më shpejt, përndryshe do të përballemi me një fatkeqësi. Kur të shihni shifrat, paratë që do të kemi për të investuar në sektorin tonë të energjisë dhe nëse marrim tri propozimet norvegjeze për 10, 15 ose në 20 vitet e ardhshme do të nevojiten nga 16 deri në 17 miliardë dhe madje 32-33 miliardë euro”, theksoi Vuçiq.

Kovaçevski: Maqedonia e Veriut është e fokusuar në sigurimin e stabilitetit energjetik

Kryeministri Kovaçevski theksoi se Maqedonia e Veriut është e fokusuar në sigurimin e stabilitetit energjetik në kushtet e krizës energjetike botërore, për të cilën ekziston një plan afatshkurtër që deri më tani është realizuar me sukses duke aktivizuar të gjitha kapacitetet për prodhimin vendor të energjisë elektrike.

Por, sipas tij, vendi ka edhe një plan afatgjatë me të cilin përpiqet për dekarbonizimin dhe synimin e asaj që kanë me bollëk, duke gjeneruar energji elektrike nga era, dielli dhe uji.

“Republika e Maqedonisë së Veriut është vendi i parë në rajonin e Ballkanit Perëndimor që miratoi Strategjinë për Zhvillimin e Sektorit të Energjisë në vitin 2019, bazuar në shtyllat e Marrëveshjes së Gjelbër të BE-së. Jemi vendi i parë që zbaton një projekt për zëvendësimin e termocentralit të vjetër me qymyr në Osllomej të Kërçovës, ku tashmë po ndërtojmë një termocentral 120 MW në vendin e një miniere të dikurshme të linjitit. Ky është një hap konkret drejt tranzicionit energjetik të Maqedonisë së Veriut dhe tregon një vullnet të fortë për dekarbonizimin e sektorit tonë energjetik dhe rrjedhimisht dekarbonizimin e ekonomisë sonë”, tha kryeministri Kovaçevski.

Tegeltija: BeH ka potencial energjetik të pashfrytëzuar Kryetar i Këshillit të Ministrave në Bosnjë e Hercegovnë, Zoran Tegeltija tha se në BeH ka një interes të madh për forcimin e bashkëpunimit në sektorin e energjisë me kompani nga Mbretëria e Norvegjisë, si dhe hapje për bashkëpunim rajonal. Ai theksoi se Bosnjë e Hercegovina ka potencial energjetik të pashfrytëzuar dhe Norvegjia ka njohuri, teknologji të reja dhe mundësi financimi. Mes tjerash ai shtoi seBeH ka kapacitete të konsiderueshme energjetike, por se shumica e objekteve kërkojnë mirëmbajtje të shtuar dhe investime shtesë në modernizim. Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq duke paralajmëruar pjesëmarrjen në këtë konferencë, përmes Telegramit tha se Mali i Zi ka ambicie të fillon me dërtimin e objekteve energjetike me fokus burimet e energjisë së rinovueshme. Me këtë rast u bëri thirrje investitorëve kredibil që të investojnë në këtë shtet të Ballkanit Perëndimor.

TRT Balkan / agjencitë