Nga sot aksi rrugor Thumanë-Kashar i kategorisë “A” do të jetë i kalueshëm për të gjitha mjetet.
Të pranishëm në ceremoninë e hapjes ishin kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku dhe ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro. Kryeministri Rama bëri të ditur se të gjitha segmentet nga Muriqani deri në Vlorë brenda vitit 2030 do të jenë të përfunduara.
“Ky është vendi ku të gjithë ata që duan ta prekin me syrin e imagjinatës se si do të jetë Shqipëria 2030, duhet ta shohin sepse brenda kësaj periudhe e gjitha rruga nga Muriqani deri në Vlorë do të jetë në këtë standard. Ky është Korridori Blu”, u shpreh Rama.
Kryeministri po ashtu informoi se po punohet për përfundimin brenda këtij afati edhe të Korridorit të 8, ndërsa theksoi se rruga Tiranë-Durrës do të bëhet me 4 korsi.
“Edhe Korridori 8 do të jetë i përfundur. Ka shumë vëmendje për pjesën e rrugës Tiranë-Durrës dhe pjesën e rrugës së Ndroqit. Shumë shpejt do të nisë edhe ai projekt. Autostrada Tiranë-Durrës do të jetë me 4 korsi. Rruga e vjetër e Ndroqit do të kthehet në një rrugë turistike e do të mundësojë kalimin alternativ”, tha Rama.
Mjetet historike retro ishin edhe ato që inauguruan aksin e ri Thumanë-Kashar.
Aksi Thumanë-Kashar është një ndër akset më të rëndësishëm të Korridorit Blu, e do të pasohet me ndërtimin e segmenteve të tjera që janë pjesë e kësaj vepre.
Ky segment i paraprin tre kantiereve të reja Thumanë – Milot, Kashar – Lekaj dhe Lekaj – Fier.
Më hapjen e këtij aksi rrugor pritet të lehtësohet përfundimisht i gjithë trafiku që krijohet në autostradën e veriut apo problematika në Aeroportin e Rinasit.
Korridori Adriatiko-Jonian, ku bën pjesë edhe aksi Thumanë-Kashar, është pjesë e Korridorit TEN-T Mesdhetar dhe ka një gjatësi totale prej 1.550 km. 20% e gjatësisë së tij kalon në territorin shqiptar.