Kosova bëhet me qendër Shtetërore Trajnuese për Siguri Kibernetike /        Foto: AA

Në Kazermën e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), "Adem Jashari" në Prishtinë është inauguruar Qendra Shtetërore Trajnuese për Siguri Kibernetike në Kosovë.

Në ceremoninë e inaugurimit morën pjesë kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ministri i Mbrojtjes Ejup Maqedonci, komandanti i FSK-së Bashkim Jashari, përfaqësues të institucioneve vendore, diplomatë të vendeve mike në Kosovë dhe pjesëtarë të FSK-së.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha se Qendra Shtetërore Trajnuese për Siguri Kibernetike në Kosovë paraqet një angazhim e përkushtim dhe një arritje e mundësi domethënëse në këtë rrugëtim.

Kurti tha se epoka digjitale ka sjellë mundësi të papara për progres dhe zhvillim, por edhe sfida të mëdha për mbarë njerëzimin dhe në këtë aspekt trajnimi dhe edukimi i profesionistëve "është rruga e vetme për t’u mbrojtur në mënyrë efektive nga kërcënimet kibernetike".

"Qendra do t’u shërbejë institucioneve qeveritare e publike, por edhe entiteteve të infrastrukturës kritike në sektorin privat. Trajnimet do të mbahen nga trajnerët e brendshëm në Ministrinë e Mbrojtjes dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës, por edhe nga trajnerët e jashtëm e ata ndërkombëtarë", theksoi Kurti, duke shtuar se planprogrami trajnimeve përfshin gamë të gjerë, nga menaxhimi i incidenteve deri te diplomacia kibernetike.

Ministri i Mbrojtjes Ejup Maqedonci theksoi se sulmet kibernetike janë çdoherë më të shpeshta dhe synimi është që përmes kësaj Qendre të trajnohen institucionet e sigurisë që t’i bëjnë ballë çdo sulmi të natyrës kibernetike.

"Qendra Shtetërore Trajnuese për Siguri Kibernetike do të ofrojë trajnime me qëllim të ngritjes së ndërgjegjësimit për rreziqet në fushën e sigurisë kibernetike, të përmirësojë aftësitë profesionale dhe të ndihmojë në ngritjen e niveleve të sigurisë kibernetike të institucioneve qeveritare, operatorëve të shërbimeve esenciale dhe ofruesve të shërbimeve digjitale për të arritur kapacitetet për mbrojtjen e infrastrukturës kritike në vend", theksoi Maqedonci.

Pjesë e kësaj qendre do të jenë edhe 15 kamionë multifunksionalë nga një firmë gjermane, 10 nga të cilat janë blerë me buxhetin e Qeverisë së Kosovës dhe pesë të tjerat donacion.

TRT Balkan / agjencitë