Kosova rrit pensionet për 20 për qind /            Foto: AA

Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që nga muaji tetor t’i rrisë pensionet për 20 për qind për disa kategori të pensionistëve, e nga muaji janar i vitit 2025 pensionet për 20% do të rriten edhe për personat që përfshihen në Ligjin për Kategoritë e luftës.

“Duke filluar nga ky muaj 2024 do të rrisim për 20 për qind të gjitha pensionet si vijon, pensioni bazik i moshës, pensioni kontributpagues i plotë dhe parcial, pension i aftësisë së kufizuar për fëmijë dhe për të rritur, pensioni për personat e verbër, pensioni për personat paraplegjikë dhe tetraplegjikë, pensioni familjar, pensioni invalidor i punës dhe pensioni i parakohshëm për punëtorët e Trepçës. Nga muaji janar i viti 2025 pra për më pak se 3 muaj do të rritet për 20% pensionet e përcaktuara me ligjin për kategoritë e luftës përkatësisht familjet e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve, pjesëtarëve të UÇK-së viktimave të dhunës seksuale të luftës, viktimave civile dhe familjeve të tyre . Kjo për arsye se për ndryshimin e këtyre pensioneve duhet të ndryshohet edhe tabela që është pjesë e ligjit si shtojcë“, tha Kurti.

Kreu i ekzekutivit kosovar tregoi se me ndryshimet që duhet të bëhen në tabelat që janë pjesë e ligjit për kategoritë e luftës familjet e dëshmorëve të UÇK-së dhe të zhdukurve të UÇK-së që kanë më shumë se 1 dëshmorë apo të zhdukur do të ndryshohet edhe forma e pensionit duke e rritur për 50% të pensionit bazë.

“Te këto kategori për familjet e dëshmorëve të UÇK-së dhe të zhdukurve të UÇK-së që kanë më shumë se 1 dëshmorë apo të zhdukur do të ndryshohet edhe forma e pensionit duke e rritur për 50% të pensionit bazë për çdo dëshmor apo të zhdukur që ka familja e jo të rritet me nga 20 apo 10% siç ka qenë deri më tani. E njëjta formulë do të përdoret edhe për familjet e viktimave të dhunës dhe të zhdukurve civil ku për çdo të zhdukur që ka familja pensioni do të rritet për 50 për qind të pensionit bazë“, tha ai.

Ministri i Financave, i Punës dhe i Transfereve të Kosovës, Hekruan Murati, tha se kjo rritja e pensioneve parashihet të jetë në shumën e 100 milionë euro shtesë për tërë vitin fiskal.

“Impakti i tërësishëm buxhetor për tërë vitin fiskal parashihet të jetë në shumën 100 milionë euro shtesë. Duhet të kemi parasysh se tërësia e këtyre skemave pensionale sillet diku rreth 500 milionë euro dhe kjo rritje parashihet edhe 100 milionë euro shtesë”, tha ai.

I pyetur nëse do të ketë rritje të pagave për mësimdhënësit dhe policët e Kosovë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se pagat në sektorin publik janë rritur vitin e kaluar, ndërsa shtoi se mandatin e ardhshëm do të ta bëjnë reformën pensionale.

Kurti theksoi se kjo rritje po bëhet këtë muaj pasi janë duke shkruar edhe buxhetin për vitin 2025, i cili muajin e ardhshëm do të votohet nga Qeveria e Kosovës.

TRT Balkan / agjencitë