Kosovë: Kroacia me trupa shtesë në kuadër të KFOR-it. / Photo: Mohr.hr

Një kontingjent i ri i ushtarëve nga Kroacia është dërguar për përforcim në kuadër të Misionit të NATO-s në Kosovë (KFOR).

Siç njofton Ministria e Mbrojtjes e Kroacisë, bëhet fjalë për regjimentin e dytë të forcave ajrore kroate që do t’i bashkohen misionit kroat në kuadër të KFOR-it.

“Komandanti i regjimentit të forcave ajrore është majori Elvis Mishiq, një kapiten i skuadrës së 395-të të helikopterëve në kuadër të Forcave Ajrore Kroate”, thuhet në njoftimin zyrtar.

Për majorin Mishiq ky është udhëtimi i gjashtë në kuadër të operacionit të KFOR-it. Para nisjes për në Kosovë, Mishiq tha se pjesëtarët e regjimentit të aviacionit janë të përgatitur mirë dhe të gatshëm për t’i kryer gjitha detyrat dhe të përfaqësojnë me profesionalizëm dhe nder ushtrinë kroate dhe Kroacinë.

“Detyra kryesore e kontingjentit kroat në kuadër të KFOR-it, i cili është i vendosur në zonën e aeroportit të Sllatinës në Prishtinë, është transporti i forcave të KFOR-it, mallrave dhe personave VIP”, thotë Ministria e Mbrojtjes e Kroacisë.

Edhe disa vende të tjera së fundmi kanë përforcuar pjesëmarrjen e tyre në KFOR, sidomos pas tensioneve në veriun e vendit gjatë vitit 2023 që kulmoi me sulmin terrorist në Banjskë më 24 shtator.

Trupat e KFOR-it, që janë nga 27 shtete të botës, kanë për mandat që të ofrojnë mjedis të sigurt dhe liri të lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë.

TRT Balkan / agjencitë