Pjesëmarrja e Kroacisë në programin EUMAM të BE-së për trajnimin e ushtrisë ukrainase është normale dhe e natyrshme, tha kryeministri kroat Andrej Plenkoviç gjatë mbledhjes së kryesisë së gjerë të partisë së tij HDZ. Ai kujtoi se javën e kaluar në Parlamentin kroat është dërguar propozimi për pjesëmarrjen e Kroacisë në EUMAM pasi qeveria, bazuar në vendimin e marrë nga anëtarët e BE-së, ka shprehur gatishmërinë në parim për të marrë pjesë.
“Nëse dikujt i pushtohet territori, vriten shumë njerëz, organizohen referendume të rreme, nëse dikujt i shkatërrohet infrastruktura energjetike, nëse për këtë të gjithë përballemi me kriza, të gjitha këto janë gjëra që ndikojnë në jetën tonë. Ekziston edhe përvoja jonë kur ishim viktimë e agresionit të madh serb, besoj se vendimi ynë është korrekt, moral, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe përfaqëson interesat kroate”, tha kryeministri kroat.
Plenkoviç tha se Kroacia e ka mbështetur Ukrainën prej vitesh, veçanërisht që kur ai ishte kryeministër, duke shtuar se EUMAM "nuk është një stërvitje dyjavore, por një mision që do të zgjasë të paktën dy vjet".
Sipas tij, gjithçka që Kroacia bën kur bëhet fjalë për Ukrainën është e vetmja gjë e drejtë dhe e vetmja e mundshme.
"Çdo gjë tjetër që ata do të bënin do të ishte imorale dhe e gabuar," tha Plenkoviç.
Ai tha se të gjithë deputetët e mazhorancës në Kuvend do të jenë pro dhe se si do të votojnë opozitarët nuk është problem i qeverisë.
Presidenti i Republikës së Kroacisë dhe Komandanti Suprem i Forcave të Armatosura të Republikës së Kroacisë, Zoran Millanoviq, refuzoi të jepte pëlqimin për pjesëmarrjen e ushtarëve kroatë në misionin e BE-së për të ndihmuar Ukrainën. Ai pretendon se kjo nuk është në përputhje me kushtetutën, si dhe se ministri i Mbrojtjes nuk është i autorizuar të kërkojë pëlqimin e Presidentit për këtë çështje.
Programi EUMAM i BE-së synon që vendet anëtare të stërvisin ushtarët ukrainas në vendet e tyre ose duke dërguar instruktorë në një vend të tretë.