Kosovë, lansohet fushata "Festo me zemër, jo me armë" / Photo: AA

Në Prishtinë është lansuar fushata vetëdijesuese "Festo me zemër, jo me armë”. Në lansimin e kësaj fushate, ku morën pjesë përfaqësues të institucioneve të Kosovës, Ministria e Punëve të Brendshme, si organizatore e fushatës, apeloi tek të gjithë qytetarët t'i shmangen përdorimit të armëve të zjarrit gjatë festave familjare me qëllim të parandalimit të fatkeqësive.

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme dhe Koordinatori Nacional për Kontrollin e Armëve të Vogla, Armëve të Lehta dhe Eksplozivëve, Blerim Gashani, tha se angazhimi i të gjitha institucioneve dhe qytetarëve është i domosdoshëm për të ndërgjegjësuar shoqërinë për rreziqet që paraqet përdorimi i armëve gjatë festimeve.

"Statistikat tregojnë që armët pa leje, që janë në përdorim të paligjshëm nga qytetarët janë shkaktar i pjesës dërrmuese të vrasjeve. Edhe pse zotërimi i paligjshëm i armëve të zjarrit dhe armëve të ftohta është në rënie çdo vit, kjo dukuri ende mbetet kërcënim për rendin dhe sigurinë publike në Kosovë por edhe shqetësim për institucionet e sigurisë", theksoi Gashani.

Zëvendëskryeministrja e Kosovës, njëherësh ministrja e Jashtme dhe e Diasporës, Donika Gërvalla, ka thënë se armët nuk janë mjet feste, sepse shpeshherë përdorimi i tyre përfundon në fatalitet. Ajo ka vlerësuar se Policia e Kosovës është ndër policitë më profesionale jo vetëm në rajon, por edhe në Evropë dhe se qytetarët kanë besim në polici.

"Rritja e besimit te policia e Kosovës është kyçe për suksesin e kësaj fushate. Qytetarët ndihen të sigurt dhe besojnë se institucionet tona të zbatimit të ligjit janë këtu për t'i mbrojtur ata. Përmes kësaj fushate ne duhet të synojmë të forcojmë këtë besim edhe më tej dhe të krijojmë një kulturë të re ku ligji dhe rregulli respektohen dhe ku armët nuk kanë vend asnjëherë në festat dhe ahengjet tona", theksoi Gërvalla.

Përfaqësuesi i Policisë së Kosovës, Arbnesh Ajvazi, ka nënvizuar se janë duke punuar në këtë drejtim për të ndaluar përdorimin e armëve në ambiente jo ligjore.

E shtëna me armë zjarri në ahengje dhe festime është vepër penale dhe është e ndëshkueshme me ligj në Kosovë.

AA