Kur flitet për kriptovalutat në Ballkan, asocimi i parë është një mënyrë e shpejtë e përfitimit të pasurisë. Ky të paktën është motivi që ka tërhequr interesimin e madh të njerëzve, sidomos të rinisë, për t’u njohur me teknologjinë blockchain, sistemin e ri financiar të decentralizuar.
Kriptovalutat janë teknologji e re, e krijuar në vitin 2009, me Bitcoinin si token i parë i këtij lloji. Bitcoin krijohet nëpërmjet një procesi të verifikimit të transaksioneve që shpërblehet me monedha të reja për verifikuesit, proces i njohur si “gërmim” ose “mining”.
Që nga popullarizimi dhe adoptimi i Bitcoinit, mijëra projekte të tjera kanë hyrë në tregun e kriptovalutave. Disa prej tyre po gjejnë aplikim real në teknologjinë bashkëkohore, por edhe shumë prej tyre përfunduan me dështim. Tregu i përgjithshëm i kriptovalutave aktualisht vlen mbi 830 miliardë dollarë, ndërsa vitin e kaluar e kishte pikun me gati 3 trilion dollarë.
Duke qenë treg i ri, tregtimi dhe prodhimi i kriptovalutave është kryesisht i parregulluar zyrtarisht në shumicën e vendeve të botës. Por, gradualisht qeveritë po vlerësojnë se ka nevojë për rregullim me ligj të kësaj hapësire financiare. Në këtë drejtim po lëvizin edhe vendet e Ballkanit.
Shqipëria ndër të parat me ligj, por nuk po gjen zbatim
Në maj të vitit 2020 Shqipëria miratoi Ligjin “Për tregjet financiare të bazuara në teknologjinë e regjistrave të shpërndarë”, i njohur si “Ligji i kriptovalutave”. Ligji i miratuar me shumë bujë mediatike e bënte Shqipërinë vendin e tretë në Evropë, pas Francës dhe Maltës, që synon rregullimin me ligj të tregut të kriptovalutave.
Ky ligj u jep kompetencë dy institucioneve të Shqipërisë, Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF) dhe Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKShI), për mbikëqyrjen e tregut financiar. AMF-ja dhe AKShI-ja shqyrtojnë dhe vendosin mbi aplikimet për 4 lloje të licencave për veprimtari të ndryshme lidhur me kriptovalutat.
Megjithatë, një vit pas hyrjes në fuqi të ligjit, mediat në Shqipëri publikuan se asnjë subjekt nuk ka aplikuar për licensë.
Në anën tjetër, policia ka ndërmarrë disa aksione ndaj prodhuesve të kriptovalutave në Shqipëri, duke sekuestruar qindra kompjuterë gërmimi.
Shqipëria gjithashtu synon të fillojë taksimin e fitimit nga kriptovalutat me 15% nga viti 2023.
Kosova dhe Maqedonia e Veriut po përgatisin ligjin
Kosova tashmë më shumë se një vit po paralajmëron një ligj për rregullimin e tregut dhe veprimtarisë të kriptovalutave. Megjithatë, deri tani, një version zyrtar nuk ka arritur në Kuvend.
Përkundër mungesës së ligjit, Ministri i Financave Hekuran Murati u ka bërë thirrje qytetarëve që të paraqesin fitimet nga kriptovalutat për taksim. Ai tha se do të aplikohet tatim prej rreth 10% nga fitimi total.
“Nëse dikush ka investuar në kriptovaluta 10 mijë euro në vlerë dhe pas një kohe është rritur vlera e tyre dhe i ka shitur kriptovlautat për 20 mijë euro, atëherë fitimi do të ishte 10 mijë dhe ky fitim kapital do të duhej të deklarohej në formular”, tha Murati.
Përgatitjen e një ligji të tillë e paralajmëron edhe Maqedonia e Veriut. Ministri i Financave në Qeverinë e Shkupit, Fatmir Besimi, tha se do të duhet të rregullohet kjo sferë, sidomos nga prizmi i parandalimit të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.
“Shfrytëzimi i mjeteve virtuale me vlerë të njohura si “kriptovaluta” do të rregullohet me ligj. Aktualisht, Ministria e Financave, së bashku me Njësinë e inteligjencës financiare, si dhe rregullatorët dhe supervizorët financiarë po punojnë për t’i përcaktuar të gjitha aspektet që dalin nga ky fenomen i ri”, deklaroi Fatmir Besimi.
Gërmimi i kriptovalutave po rëndon më tej krizën energjetike
Gërmimi i kriptovalutave është proces që shpenzon nivele marramendëse të energjisë elektrike, ndërsa konsumi i energjisë për këtë qëllim po rritet çdo vit. Një studim i përgatitur nga Cambridge University tregon se vetëm gërmimi i Bitcoin globalisht shpenzon më shumë energji se sa shtete të tëra si Argjentina, Holanda apo Emiratet e Bashkuara Arabe.
Megjithëse vendet e Ballkanit bashkë nuk përbëjnë as 0.1% në prodhimin e përgjithshëm të Bitcoinit, megjithatë gërmimi po lë gjurmë në krizën energjetike edhe në Ballkanin Perëndimor.
Kosova me një vendim të Ministrisë së Ekonomisë ndaloi gërmimin e kriptovalutave nga janari deri në maj të këtij viti, pikërisht për shkak të efektit që kishte ndaj krizës energjetike.
Nga ana tjetër, kryeministri i Maqedonisë së Veriut Dimitar Kovaçevski u detyrua që t'u bëjë thirrje familjeve dhe kompanive të mos shfrytëzojnë energjinë elektrike për gërmimin e kriptovalutave.
“Lidhur me furnizimin kam një thirrje. Janë disa shtëpi të caktuara e madje edhe persona juridikë në të cilët ka konsum jashtëzakonisht enorm të rrymës dhe kjo është pothuajse 100 për qind për shkak të gërmimit të kriptovalutave, kjo duhet të ndërpritet sepse ajo energji elektrike është subvencionuar nga të gjithë qytetarët”, tha Kovaçevski pas një takimi lidhur me krizën energjetike në shtator të këtij viti.
Në të gjitha vendet e rajonit, policia në disa raste ka zbuluar keqpërdorime në procesin e gërmimit, më shpesh që lidhen me shfrytëzimin ilegal të energjisë elektrike për prodhim të kriptovalutave.