Ministria e Mbrojtjes e Kroacisë nënshkroi një kontratë me prodhuesin turk të mjeteve ajrore pa pilot (UAV) Baykar të enjten në Zagreb për prokurimin e sistemit të avionëve pa pilot Bayraktar TB2, njoftoi kompania.
Kontrata u nënshkrua nga zëvendëskryeministri dhe ministri i Mbrojtjes kroat Ivan Anushiq dhe shefi ekzekutiv i Baykar, Haluk Bayraktar.
“Bayraktar TB2, platforma kryesore e mbrojtjes së Türkiyes, do të bashkohet me inventarin e forcave kroate të sigurisë dhe do të fillojë operacionet në hapësirën ajrore kroate”, thuhet në njoftim.
Shtohet se me këtë një tjetër anëtar i NATO-s dhe Bashkimit Evropian ka shtuar në inventarin e tij Bayraktar TB2.
“Bayraktar TB2, i përshkruar nga ekspertët si një UCAV (mjet luftarak pa pilot) që transformon natyrën e luftës, favorizohet nga vendet aziatike, atyre afrikane dhe të NATO-s dhe të BE-së”, tha Baykar.
Në njoftim thuhet se, që nga muaji nëntor, dronët luftarakë turq kanë funksionuar në inventarin e gjashtë vendeve anëtare të NATO-s dhe katër vendeve anëtare të BE-së.
Bayraktar TB2, i cili hyri në inventarin e Forcave të Armatosura Turke në vitin 2014, prodhohet pothuajse tërësisht nga burime vendase.
Ministria e Mbrojtjes e Kroacisë deklaroi se bëhet fjalë për prokurimin e gjashtë dronëve modernë.
Vlera e kontratës është 67,01 milionë euro (pa TVSh), e Bayraktari do të jetë në përdorim operacional nga Ushtria Kroate më së voni deri në fund të shtatorit 2025”, thuhet gjithashtu në njoftim.
Duke theksuar rëndësinë e përshtatjes së shpejtë të sistemeve të mbrojtjes me situatën ekzistuese të sigurisë, Anushiq tha se ky sistem i ri i avionëve pa pilot do t’i forcojë më tej aftësitë e Ushtrisë Kroate.