Ku është më ekonomike të përdorni transportin publik?     Foto: TRT Balkan

Transporti publik në Ballkanin Perëndimor në dekadat e fundit është kritikuar për investimet e tij të ulëta në automjete të reja dhe ofrimin e kushteve moderne për pasagjerët. Tabloja po ndryshon gradualisht dhe disa qytete janë përpjekur të përmirësojnë si infrastrukturën, ashtu edhe shërbimet në vetë automjetet. TRT Balkan hulumtoi çmimet e transportit publik, opsionet e pagesave dhe organizimin.

Nëse udhëtoni nëpër Shkup, Beograd, Sarajevë, Podgoricë, Tiranë dhe Prishtinë, zakonisht, nga transporti publik në dispozicion do të keni autobusë ose tramvaje. Çmimet për një udhëtim në zonat qendrore të qytetit ndryshojnë nga 33 eurocentë në Tiranë si destinacioni më i lirë i transportit publik, në gati 1 euro në Podgoricë, ku transporti me autobus urban është më i shtrenjti.

Infografikë: TRT Balkan

Si është i organizuar transporti publik në Shkup?

Qytetarët dhe vizitorët e kryeqytetit maqedonas, Shkupit, për momentin mbështeten vetëm në transportin me autobus. Projektet e tramvajit janë anuluar pas dekadash analizash dhe fokusi ka qenë në blerjen e autobusëve ekologjikë. Transporti publik është i ndarë në linja të cilat i kryen shërbimi i Ndërmarrjes së Transportit Publik (NTP-Shkup), kurse një numër i vogël linjash u caktohen transportuesve privatë. Megjithatë, çmimi i biletës është unik, 57 eurocentë.

Karta e pagesës është e unifikuar dhe pasagjerët mund ta përdorin atë në të gjithë autobusët e qytetit. Falë automatëve të instaluar, pasagjerët mund të paguajnë edhe përmes telefonit celular, duke telefonuar në numrin special 185, por duhet të jenë të lidhur në rrjetin e një operatori celular maqedonas. Kostoja e udhëtimit është 65 eurocentë.

Ekzistojnë gjithashtu disa aplikacione celulare të disponueshme për përdoruesit që të planifikojnë udhëtimin e tyre dhe të gjejnë itinerarin. Aplikacioni i NTP-së për telefona të mençur është më pak i vlerësuar nga përdoruesit, dhe në vend të kësaj shumë më i popullarizuar është “JSP Live” i cili ofron informacion të saktë për mbërritjen e autobusit të ardhshëm dhe shërben si lokalizues i ndalesës më të afërt.

Uebsajt modern dhe plane ambicioze

Krahasuar sipas organizueshmërisë, faqe moderne të internetit ka Sekretariati i Transportit Publik të Beogradit, ku ka një pasqyrë të të gjitha linjave të transportit të autobusëve dhe hekurudhave ditën dhe natën.

Pasagjerët mund të përdorin kartën e unifikuar BusPlus e cila mund të plotësohet me një kredit të parapaguar për vozitje në të gjitha llojet e transportit publik. Në Beograd, një udhëtim nëpër linjat qendrore kushton 76 eurocentë, kurse bileta mujore është 25,4 euro.

Paguhet gjithashtu me celular që duhet të mbështesë teknologjinë NFC për pagesat pa kontakt, si dhe duhet të instalohet aplikacioni celular MTS Centar. Kostoja e një udhëtimi me telefon është 84 eurocentë.

Autoritetet e qytetit dhe ato qendrore kanë njoftuar gjithashtu ndërtimin e linjës së parë të metrosë, e vetmja në rajon deri më tani.

Zgjedhje e madhe automjetesh, por pak inovacione

Zona qendrore e qytetit të Sarajevës është mjaft e lidhur me autobusë dhe transportin hekurudhor. Çmimi i biletave është 82 eurocentë, ndërsa bileta mujore për të gjitha format e transportit publik për ata që nuk bëjnë pjesë në kategoritë e privilegjuara është 27 euro.

Seksioni i pagesave elektronike në faqen e internetit të ndërmarrjes kantonale të shërbimeve publike është jofunksional dhe nuk ka asnjë informacion për mundësinë e pagesës së biletës me telefon celular.

Inovacioni i fundit u prezantua në vitin 2017 me BasInfo, ku përdoruesit mund të dërgojnë një mesazh në numrin 133 për të marrë informacion për mbërritjen e autobusit të radhës, kurse ky mesazh tarifohet sipas tarifave të operatorëve lokalë celularë.

Recetë gjermane në Podgoricë

Qyteti i Podgoricës, si vetëqeverisje lokale, ka bashkëpunuar me Agjencinë Gjermane për Zhvillim për vendosjen e pagesës elektronike të biletave në autobusët e transportit publik.

Është krijuar edhe aplikacioni celular Click Bus, i cili mundëson blerjen e biletave elektronike dhe vazhdimin e biletave mujore pa pritur, të cilat kushtojnë 30 euro dhe janë më të shtrenjtat në rajon.

Podgorica ka biletën më të shtrenjtë për një udhëtim në vlerë prej 90 eurocentësh. Qytetarët dhe vizitorët në kryeqytetin malazez mund të planifikojnë udhëtimin e tyre përmes aplikacionit ose përmes faqes së internetit Click Bus me informacion për të gjitha linjat, oraret, ndalesat e autobusit dhe çmimet e biletave.

Prishtina dhe Tirana mbështeten në transportuesit privatë

Transporti publik në Prishtinë u është lënë kryesisht transportuesve privatë me autobusë dhe furgona. Shtatë linja me 50 autobusë ofrohen nga autoritetet e qytetit. Kostoja e një udhëtimi në qytet është 40 eurocentë. Të gjitha informacionet për orarin dhe linjat i gjeni në faqen e Trafikut Urban, ndërsa pagesa bëhet direkt në automjet tek konduktori. Bileta mujore kushton 14 euro për të gjithë qytetarët.

Tirana gjithashtu mbështetet shumë në transportuesit privatë të organizuar nga Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas. Për shkak të protestave të transportuesve në tetor, transporti publik në Tiranë zhvillohej me kapacitet të përgjysmuar. Pasagjerët për një udhëtim në Tiranë duhet të paguajnë 33 eurocentë dhe për një biletë mujore autobusi 13,2 euro.

TRT Balkan