Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka dhënë disa rekomandime me të cilat normalizimi i mardhënieve me Serbinë do të mundë të ndodhë në vitin 2024.
Ai duke u bazuar në deklarimin të fundit të emisarit evropian, Mirosllav Lajçak, se draft statuti për Asociacionin është çështje e brendshme e Kosovës, në vitin e ardhshëm, tha se mund të shkruajë një draft modern evropian.
Kurti ka shkruar në Facebook se beson që Brukseli dhe emisari evropian Lajçak do të merren shumë më tepër me Presidentin e Serbisë Vuçiq që i vodhi zgjedhjet në Serbi me ndihmën e Dodikut, Mandiqit e Radoiçiqit (sidomos në Beograd) dhe që u tërhoq nga Marrëveshja Bazike e 27 shkurtit 2023 (përmes letrës së Kryeministres Ana Bërnabiq), në vend se të bëjnë presion publik me opsione që e shndërrojnë Kosovën demokratike e proevropiane në temë problematike.
“Konluzionet e hetimeve për sulmin terrorist e kriminal të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, kur u vra rreshteri Afrim Bunjaku, duhet të bëhen publike menjëherë. Millan Radojçiq dhe pjesëtarët e grupit të tij paramilitar duhet t’i dorëzohen autoriteteve të Kosovës”, ka shkruar Kurti.
Sipas tij, prioritet absolut për Qeverinë e Republikës së Kosovës është siguria për Kosovën, integriteti territorial i shtetit dhe jeta e mirëqenia e qytetarëve pa dallim.
Kërkesa e tij, siç shkruan Kurti, është që “Kosovës t’i hiqen masat ndëshkuese të BE-së dhe ShBA-së, dhe vendit tonë t’i jepet statusi i vendit kandidat për BE e Partneriteti për Paqe me NATO. Pikërisht kështu partnerët tanë perëndimorë do t’i kërkonin fuqishëm Serbisë të zbatonte obligimin e njohjes de facto të Kosovës”, ka shkruar Kurti.
Ndryshe, Marrëveshja Bazike (me Aneksin e Zbatimit) për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë sipas Kurtit do të mundte të nënshkruhej në Samitin e Këshillit Evropian që mbahet në datat 21 e 22 mars 2024.