Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka deklaruar se me planin evropian njohja dejure e Kosovës nga Serbia nuk është, por është në formën defakto. Megjithatë, shtoi se ndërkohë parashihet të arrihet një marrëveshje përfundimtare si një parakusht për avancimin evropian të Serbisë.
Kurti në seancën plenare në Kuvendin e Kosovës, e cila po vazhdon, është pyetur edhe për propozimin evropian për dialogun Kosovë-Serbi, me çka tha se ky propozim parasheh normalizim të marrëdhënieve ndërkombëtare në mes Kosovës dhe Serbisë, ku njëra-tjetrën e njohin në formën defakto.
“Marrëveshja i vendos Kosovën dhe Serbinë si dy entitete të barabarta para së drejtës ndërkombëtare, me integritet territorial të pacenueshëm të të dyjave, marrëdhënie të mira ndërfqinjësore, njohje të plotë të pasaportave dhe simboleve shtetërore në nivelin ndërkombëtar, me referencë të qartë të parimit të kartës së OKB-së për barazinë e plotë sovrane në mes shteteve, ku asnjëra nuk mund të përfaqësojë dhe as të flasë për tjetrën në nivel ndërkombëtar dhe ku Serbia nuk do të kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare”, tha Kurti.
Kurti është pyetur edhe për tërheqjen e njohjes nga Republika e Togos, duke thënë se më 2 korrik të vitit 2014, kjo republikë ka deklaruar njohjen e shtetit tonë dhe po atë muaj është bërë vendosja e marrëdhënieve diplomatike, por tash nuk kanë pranuar ndonjë indikacion a dokument për tërheqje të tillë, por këto janë shpifje të Serbisë.