Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bashkë me Kryetarin e Kuvendit të Kosovës Glauk Konjufca, priti krerë politikë shqiptarë nga Maqedonia e Veriut: Arben Taravari, Kryetar i Aleancës për Shqiptarët (ASh) dhe i Komunës së Gostivarit, si dhe udhëheqësit e Lidhjes Evropiane për Ndryshim (LEN), Bilall Kasami - Kryetar i Lëvizjes BESA e i Komunës së Tetovës, Izet Mexhiti - Kryetar i Lëvizjes Demokratike dhe deputet, dhe Afrim Gashi - Kryetar i Alternativës, po ashtu deputet. Në takim, në të cilin mori pjesë edhe këshilltari i kryeministrit nga Maqedonia e Veriut - Bekim Qoku, u diskutua mundësia për kandidimin e një shqiptari për president të Maqedonisë së Veriut, në zgjedhjet presidenciale në pranverë.
“Katër udhëheqësit shprehën propozimin e tyre për një president të Maqedonisë së Veriut, i cili mishëron bashkëjetesën mes etnive dhe garanton rrugën evropiane të Maqedonisë së Veriut, president, i cili kësaj radhe duhet të vijë nga mesi i shqiptarëve”, thuhet në njoftimin e zyrës së kryeministrit Kurti.
Në këtë takim është diskutuar gjithashtu situata në rajonin e Ballkanit, për fqinjësinë e mirë dhe perspektivën e partneritetit të rëndësishëm ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.
Kryeministri Kurti i njoftoi kryetarët shqiptarë nga Maqedonia e Veriut për takimet e bisedat që ka pasur me krerët shtetërorë të Maqedonisë së Veriut dhe ata e njoftuan për zhvillimet politike atje.
“Temë e diskutimit ishte edhe situata shoqërore e ekonomike e komunitetit shqiptar në Maqedoni, nevoja për demokraci e stabilitet, si dhe përmirësim e mbarëvajtje të raporteve mes komuniteteve etnike në atë vend, gjë të për të cilën Kosova vetë është shembull, por edhe e promovon dhe e mbështet”, thuhet në njoftim.