Sekretari i Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, Lord David Cameron, vizitën e parë zyrtare për vitin 2024 e ka nisur nga Kosova, ku mbrëmë realizoi takim me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Siç njofton Zyra e Kryeministrit, Kurti, i shoqëruar nga zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz, dhe ministra të tjerë të kabinetit qeveritar dhe ambasadori i Kosovës në Mbretërinë e Bashkuar, Ilir Kapiti, i uroi mirëseardhje të veçantë në Prishtinë sekretarit Cameron.
Në takim u theksua vlera edhe rëndësia e marrëdhënieve bilaterale ndërmjet dy shteteve, teksa u diskutua për fushat dhe mundësitë e reja të bashkëpunimit dypalësh në shërbim të interesave të përbashkëta dhe të fuqizimit të raporteve të ndërsjella.
Kryeministri Kurti e njoftoi sekretarin Cameron me progresin dhe arritjet e Kosovës, veçanërisht në tri vitet e fundit, sa në aspektin ekonomik, ashtu edhe demokratik e të sundimit të ligjit, ku po ashtu foli edhe për luftimin e krimit dhe korrupsionit si dhe garantimin e sigurisë dhe paqes në vend, përballë sjelljes agresive dhe kërcënuese të Serbisë.
Kryeministri kosovar e falënderoi kryediplomatin britanik për kontributin e tij edhe sa ishte kryeministër i Mbretërisë së Bashkuar dhe mbështetjen e vazhdueshme që ky shtet i ka dhënë Kosovës në çlirimin, pavarësimin, demokratizimin, zhvillimin e brendshëm dhe integrimin ndërkombëtar, dhe tash së fundmi në rritjen e sigurisë përgjatë kufirit me Serbinë me zbarkimin e 200 ushtarëve britanikë në tetor të vitit të kaluar në kuadër të misionit të NATO-s në Kosovë.
Cameron shprehu mirënjohjen e tij për mikpritjen në këtë vizitë, që përveçse është e para e tij në Kosovë, është edhe e para për të jashtë vendit për vitin 2024. Ai u shpreh krenar për mbështetjen që Mbretëria e Bashkuar i ka dhënë Kosovës dhe për vendimin dhe qëndrimin për ta njohur sovranitetin dhe pavarësinë e saj.
“Unë jam këtu për të përforcuar faktin që ne ju mbështesim ju. Duam t’ju ndihmojmë në rrafshin e sigurisë, atë të zhvillimit ekonomik, të qeverisjes dhe në të gjitha çështjet me të cilat përballeni. Kemi qenë mbështetës afatgjatë të Kosovës dhe do të vazhdojmë të jemi të tillë”, tha Cameron në fillim të takimit.
Kjo është vizita e parë e një Sekretari të Jashtëm të Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë që prej vitit 2016. Në Prishtinë, Cameron po shoqërohej nga i Dërguari i Posaçëm i Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Lord Stuart Peach, dhe ambasadori britanik në Kosovë, Nicholas Abbott. Më 4 janar ai do të pritet në takim zyrtar nga presidentja Vjosa Osmani dhe ministrja e jashtme Donika Gërvalla-Schwarz.