Kryeministri i Kosovës Albin Kurti në debatin e Kuvendit për situatën e fundit në veri të vendit deklaroi se është për normalizim të situatës, por jo para arrestimit të bandave kriminale. Sipas tij, zvogëlimi i pjesëtarëve të njësisë speciale në veri të Kosovës do të ndodhë, por kërkon punë.
Shefi i ekzekutivit u shpreh se policët janë në ndërtesa të komunës, për shkak se jashtë ka banda kriminale.
“Unë jam për një situatë normale, ku edhe nëpër komunat në veri të Kosovës nuk ka më shumë policë sesa në komunat e tjera. Mirëpo, ka punë të arrijmë në atë pikë. Një herë duhet të largohen për në Serbi, ose të arrestohen në Kosovë, ose edhe nga forcat ndërkombëtare, sepse mund të kenë shkuar edhe në vende të treta. Ata ekstremistë nacional-shovinistë kriminelë të strukturave ilegale e paralele. Pra, një herë ata duhet të largohen ose të burgosen, e vetëm më pastaj ne mund ta konsiderojmë seriozisht zvogëlimin e njësisë speciale dhe pjesëtarëve të saj në komuna drejt normalizimit të plotë”, tha Kurti.
Mes të tjerash, Kurti u shpreh se nuk mund të tolerohen protestat me thirrje për vrasje.