Kurti përkujton të vrarët në Kralan të Gjakovës: Përgjegjës Beogradi zyrtar/     Foto: Qeveria e Kosovës

Në 25-vjetorin e masakrave të kryera nga forcat e armatosura të Serbisë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në Kralan të Gjakovës përkujtoi të vrarët në masakrën ndaj popullsisë civile në këtë fshat.

Kurti ka bërë homazhe te varrezat e dëshmorëve në afërsi të shkollës së emërtuar “8 Dëshmorët”.

Kurti theksoi se shumica dërrmuese e të vrarëve nga urdhërdhënësit dhe ekzekutorët në Serbi, gjatë luftës së fundit në Kosovë, ishin civilë të pambrojtur.

“Më vjen shumë mirë që shkolla e mban emrin ‘8 Dëshmorët’, sepse duhet t’ua kujtojmë të gjitha brezave, edhe atyre aktualë, edhe atyre që vijnë pas nesh, edhe fëmijëve që nuk kanë lindur ende, do të bëhen nxënës në këtë shkollë një ditë, se liria të cilën ne e gëzojmë, shteti të cilin e ndërtojmë dhe e zhvillojmë i ka rrënjët pikërisht te ky çmim i lartë që e kemi paguar me gjakun e dëshmorëve dhe martirëve të kombit”, tha Kurti.

Kurti ka vendosur lule te lapidari në të cilin janë të shkruar 88 emra të shqiptarëve.

“Nga mijëra banorë nga rajoni të grumbulluar në Kralan, të ndarë burrat prej grave dhunshëm nga forcat serbe, u vranë 86 civilë të paarmatosur, derisa rrugës për deportim në Shqipëri u vranë dy të tjerë. 11 nga viktimat e këtij krimi kanë qenë fëmijë, ndërkaq 18 prej të vrarëve janë gjetur në afërsi të liqenit Peruçac në Bajina Bashta të Serbisë”, thuhet në njoftimin e zyrës së kryeministrit.

Kryeministri theksoi se përgjegjësia dhe e vërteta ndodhet në arkivat e Beogradit zyrtar të cilët sipas tij duhet t’i kthejnë mbi 1 mijë e 600 trupat e më të dashurve, të cilët vazhdojnë të mungojnë edhe 25 vjet më vonë.

“I bëjmë thirrje edhe faktorit ndërkombëtar që të bëjnë trysni mbi Beogradin, në mënyrë që të ketë drejtësi për Kosovën, për viktimat e shumta gjithandej, të pranverës së vitit 1999, meqenëse pa drejtësi, plaga vazhdon të kullojë e familjet e martirëve vazhdojnë që të kenë ankth e vuajtje, meqenëse shumë prej tyre nuk e dinë se ku i kanë trupat e pajetë e më të dashurve të tyre”, përfundoi kryeministri Kurti.

Në këto homazhe, kryeministri kosovar Albin Kurti shoqërohej nga ministrat Nagavci, Sveçla dhe zyrtarë të tjerë të Qeverisë së Kosovës, si dhe deputetë të shumicës.


TRT Balkan