Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka deklaruar sot se zvogëlimi edhe i 25% i pranisë së policisë në ndërtesat e komunave në veri erdhi pas vlerësimit të gjendjes së sigurisë.
Kryeministri u shpreh se po zbatohet me seriozitet marrëveshjen e Bratisllavës nga 10 korriku 2023 në funksion të kërkesave të BE-së nga 3 qershori 2023 për deeskalim.
Sundimi i ligjit dhe rendi publik sipas kreut të qeverisë po mirëmbahen gjithnjë e më shumë e më mirë. Ai njoftoi se janë bërë rreth një muaj e gjysmë që nuk kemi incidente të theksuara e protesta të dhunshme.
"Ne po zbatojmë me përgjegjësi dhe seriozitet, sinqeritet dhe kujdes marrëveshjen e Bratisllavës nga 10 korriku 2023 në funksion të kërkesave të BE-së nga 3 qershori 2023 për deeskalim. Konstatimi i përbashkët me faktorët ndërkombëtarë për përmirësimin e dukshëm të nivelit të paqes dhe sigurisë në veri dëshmon për deeskalim të qartë. Njëkohësisht, ne jemi vigjilent për rieskalimin potencial që mund të vijë nga deklaratat që nxisin urrejtje dhe agresiviteti politik e shtetëror i fqinjit tonë verior.”, shkroi Kurti në Facebook.
Kryeministri Kurti shtoi se lufta hibride kundër Kosovës do të dështojë.
“Ftojmë qytetarët që të mos bien pre e dezinformatave të ndryshme, prej atyre që janë pasojë e keqkuptimit, moskuptimit a keqinterpretimit të situatës dhe zhvillimeve e deri tek ato që janë dëshira antiqeveritare të transmetuara publikisht si lajme faktike. Lufta hibride kundër Republikës së pavarur të Kosovës dhe qeverisë së saj demokratike e progresiste do të dështojë”, shkruan Kurti.
Sot u vendos që të largohen edhe 25% e forcave policore të Kosovës në dhe përreth objekteve komunale në veri të vendit. Vendimi u mor pas vlerësimit të situatës nga Policia e Kosovës, EULEX-i dhe KFOR-i.
Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, deklaroi për KosovaPress se situata e sigurisë në veri të vendit vlerësohet të jetë e qetë, stabile, por delikate.