Kurti: Policia e Kosovës patrullon në Veri, mos dezinformoni.     Foto: Kuvendi i Republikës së Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar nga partitë opozitare në Kuvend që mos të përhapin dezinformata që s’ka prezencë të Policisë së Kosovës në veri të vendit. Ai duke iu drejtuar opozitarëve, theksoi se s’ka kush që e ndal Policinë e Kosovës të punojë dhe veprojë në bazë të ligjeve dhe Kushtetutës së Kosovës.
Në interpelancën ndaj tij lidhur me situatën e krijuar në veri, Kurti tha se për herë të parë në atë pjesë ka prezencë të tij dhe ministrave në mbikëqyrjen e punimeve që kryhen.
“Ministrat Xhelal Svecla, Librun Aliu, Faton Peci, Elbert Krasniqi kanë qenë në veri. Në veri kam qenë edhe unë. Jo vetëm kaq, por edhe për herë të parë ka filluar patrullimi i rregullt policor në liqenin e Ujaminit. Pra, është një polici që nuk ndalet, ju kisha lut të mos keq informoni, pasi Policia e Kosovës është nuk është ndalur, s’ka kush që e ndalë Policinë e Kosovës. Mos përhapni dezinformata, policia është aty, punon dhe vepron në bazë të Kushtetutës”, tha ai.

Kreu qeveritar tha se situata në veri nuk ka qenë asnjëherë normale, ani pse serbët kanë punuar atje.

“Betimin që e kanë bërë e kanë konstatuar publikisht se është veprim strategjik për të luftuar shtetësinë dhe republikën tonë”, tha Kurti. Ndryshe, krerët e opozitës në Kosovë ndaj kryeministrit Kurti kanë adresuar kritika se ka refuzuar propozimin amerikan për pezullim të vendimit për targat deri në marrëveshje dhe se ka pranuar themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe.

TRT Balkan / agjencitë