Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka takuar emisarin e Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor Manuel Sarrazin dhe përfaqësuesin special të Austrisë për Ballkan Perëndimor Johannes Eigner.
Siç njofton Qeveria e Kosovës, në këtë takim, ndër të tjerash, është diskutuar për procesin e dialogut Kosovë-Serbi si dhe raportet midis dy shteteve fqinje.
"U diskutua për zhvillimet e fundit në Kosovë e rajon, dhe për rëndësinë e bashkëpunimit rajonal. Temë diskutimi ishin po ashtu raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, zbatimi i Marrëveshjes Bazë të arritur në Bruksel dhe Aneksit të saj të dakorduar në Ohër si dhe rruga përpara, në prag të takimit të radhës në nivel kryenegociatorësh që do të zhvillohet sot në Bruksel", thuhet në njoftimin e Qeverisë.
Kurti në këtë takim ka qenë i shoqëruar nga ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, dhe ushtruesja e detyrës së shefes së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila. Takimi është ftuar nga ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jörn Rohde.
Sarrazin e Eigner të hënën (3 prill) janë pritur në takim edhe nga presidentja Vjosa Osmani.
Sot në Bruksel pritet të zhvillohet takimi i radhës në kuadër të procesit të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, ku kryenegociatori kosovar Besnik Bislimi do ta takojë atë serb Petar Petkoviq për të diskutuar për hapat e ardhshëm në zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.