Në bazë të dokumentacionit të konfiskuar, Policia e Kosovës kanë konfirmuar se sulmi terrorist ishte pjesë e një plani më të madh për të aneksuar veriun e Kosovës nëpërmjet një sulmi të koordinuar në 37 pozicione të dallueshme, shkruan kryeministri i Kosovës Albin Kurti në rrjetin social X. Sipas tij, më pas do të pasonte krijimi i një korridori për në Serbi, për të mundësuar furnizimin me armë dhe trupa.
Ndryshe, ai dje njoftoi se për sulmin në Banjskë tha se trajnimet e terroristëve janë bërë në një nga bazat e Serbisë.
"Terroristët që kryen sulmet janë trajnuar në Pasuljanske Livade, një nga bazat kryesore të Ushtrisë Serbe, 4 ditë para sulmeve. Stërvitje të tjera u zhvilluan në bazën e Kopaonikut. Sulmet gëzonin mbështetjen dhe planifikimin e plotë të shtetit serb", shkroi Kurti në platformën X, ku dhe i publikoi pamjet e stërvitjeve.
Kujtojmë se në një sulm të një grupi serbësh më 24 shtator, të udhëhequr nga Millan Radojçiq, mbeti i vrarë një polic i Kosovës. Më pas policia e Kosovës në një "operacion antiterrorist" likuidoi 3 sulmues dhe arrestoi 6 të tjerë. Sulmuesit e tjerë dhe udhëheqësi i tyre Radojçiq ikën në Serbi.