Kurti takohet me Ndihmëssekretarin e Departamentit Amerikan të Shtetit / Photo: AA

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, takoi në ndërtesën e Ambasadës së Kosovës në Belgjikë, Ndihmëssekretarin për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike të Departamentit të Shtetit amerikan, James C. O'Brien.

Siç njofton Zyra e Kryeministrit të Kosovës, në këtë takim temë e diskutimit ishin marrëdhëniet dypalëshe dhe zhvillimet aktuale me interes të përbashkët, me theks te sulmi terrorist i 29 nëntorit ndaj infrastrukturës kritike të Kosovës.

Kurti ndau me O'Brien detajet e sulmit të fundit terrorist mbi infrastrukturën kritike, përkatësisht në kanalin e Ibër-Lepencit si dhe reagimin e institucioneve shtetërore për sanimin e dëmit dhe sigurimin e furnizimit me shërbime esenciale.

Ndërkohë që hetimet për sulmin e fundit po vazhdojnë, Kurti nënvizoi që në mesin e konfiskimeve të bëra në lidhje me rastin, krahas armatimit dhe municioneve, janë gjetur edhe 74 emblema ushtarake, prej të cilave 20 janë të njësive të ndryshme ushtarake ruse, përveç atyre serbe.

Gjatë këtij takimi, Kurti theksoi rëndësinë e arrestimit dhe ekstradimit të siç tha ai, kryekriminelit dhe kryeterroristit Millan Radoiçiq, për të cilin Prokuroria Speciale e Kosovës tashmë ka një aktakuzë prej 160 faqesh për të dhe grupin e tij, dhe i cili vazhdon të paraqesë rrezik për sigurinë e vendit dhe të rajonit për sa kohë që endet i lirë në Serbi dhe ka mbështetjen e presidentit serb Aleksandar Vuçiq dhe aparatit shtetëror atje.

Kurti falënderoi Ndihmëssekretarin O'Brien dhe ShBA-në për mbështetjen e tyre ndaj Kosovës në hetimin e sulmit në kanalin e Ibër-Lepencit dhe sjelljes së përgjegjësve para drejtësisë.

AA