Dhjetë minuta ka zgjatur seanca plenare e kësaj të enjteje në Kuvendin e Shqipërisë, ku me shumicë prej 75 votash u votua kërkesa e Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) “Për dhënien e autorizimit nga Kuvendi për arrestimin/heqjen e lirisë së deputetit Sali Berisha, nëpërmjet zëvendësimit të masës së sigurimit”.
Seanca e sotme u zhvillua sërish mes tensioneve dhe tymueseve të ndezura nga deputetët e opozitës, derisa Sali Berisha ndodhej në seancë kur u miratua kërkesa e SPAK-ut.
Pasi u vendos heqja e imuniteti të tij, ish-kryeministri Berisha gjatë daljes nga Kuvendi u shpreh se ky është një akt antikushtetues.
“Sot, narkoparlamenti në një akt antikushtetues, antidemokratik, votoi në kundërshtim me çdo procedurë kushtetuese, në kundërshtim me çdo procedurë ligjore, për heqjen e imunitetit dhe arrestimin tim. Në një mënyrë ose në një tjetër, parlamenti sot vazhdoi veprën që dështoi me datën 9 shtator, dy vjet më parë”, tha Berisha.
Edhe në nisje të seancës ka pasur tensione mes deputetëve të opozitës të përjashtuar dhe Gardës së Republikës.
Heqja e imunitetit ua hap rrugën autoriteteve për të arrestuar Berishën, pas kërkesës së SPAK-ut nën akuzën e të dyshuarit për korrupsion pasiv. Ndryshe, Sali Berisha, përveç postit të deputetit, në Shqipëri ka ushtruar edhe pozitën e presidentit dhe atë të kryeministrit.