Në kuadër të Forumit Ekonomik Botëror në Davos, një sesion i veçantë iu kushtua edhe Ballkanit Perëndimor. Liderët e vendeve të rajonit diskutuan bashkë me përfaqësues të BE-së dhe disa vendeve anëtare, si dhe përfaqësues të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZh) dhe Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP).
Kabineti i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, njoftoi se kryeministri ka folur për progresin ekonomik të vendit, por edhe për dialogun me Serbinë, me theks te njohja reciproke si synim.
“Kryeministri Kurti prezantoi të arriturat e Republikës së Kosovës në vitin 2022, progresin ekonomik dhe demokratik. Ai theksoi nevojën për dinamizim të procesit të dialogut drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me njohje reciproke në qendër”, thuhet në njoftimin e zyrës së kryeministrit Kurti.
Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, në një publikim në Facebook thotë se është diskutuar për zgjidhjen e kontesteve të ngrira në rajon, por edhe krijimin e kushteve për rritje ekonomike të vendeve të Ballkanit.
“Në dialogun diplomatik përkushtuar Ballkanit Perëndimor sot në Davos diskutuam për sfidat me të cilat përballet Ballkani Perëndimor. E theksuam nevojën për gjetjen e qasjeve të reja me qëllim të ruajtjes së stabilitetit, krijimin e kushteve për nxitjen e rritjes ekonomike të shteteve dhe domosdoshmërinë për zgjidhjen e kontesteve të ngrira”, shkruan Pendarovski.
Ky sesion me pjesëmarrës udhëheqës të shteteve dhe organizatave ndërkombëtare u kryesua nga Børge Brende, President i Forumit Ekonomik Botëror, ndërsa u drejtua nga Mirek Dušek, drejtor menaxhues i Forumit Ekonomik Botëror.