Mali i Zi është në një krizë të re politike.     /Foto: AA

Kryeministri i Malit të Zi, Millojko Spajiq, ka bërë të ditur se në seancën e fundit të Qeverisë është marrë vendim që regjistrimi i popullsisë të shtyhet për 3 dhjetor.

Ai dje ka vlerësuar se vendimi i opozitës për të mbështetur shtyrjen e regjistrimit është dëshmi se Mali i Zi “po piqet si shoqëri”.

“Për mua kjo është shumë e rëndësishme për pajtimin e Malit të Zi”, theksoi Spajiq në konferencën për shtyp.

Ai shtoi se qeveria ka arritur të mbyllë një proces në më pak se një muaj dhe se të gjithë janë të kënaqur.

"Ne iu përgjigjëm të gjitha sfidave në kohë rekord. Kemi kontroll të procesit që nuk është parë kurrë më parë. Kishte shumë dyshime, por koha do të tregojë se ishte shumë e rëndësishme të kishim një qasje të ndryshme për zgjidhjen e problemit. Ne kishim diskutime me përfaqësuesit e mazhorancës, ka pasur rezerva për qëllimet e DPS-së”, ka thënë Spajiq.

Ai shtoi se një pjesë e mirë e shumicës parlamentare është me këtë vendim të qeverisë.

"Kjo shtyrje deri më 3 dhjetor është shumë e rëndësishme, pa kosto shtesë do të arrijmë kohezion social. Çfarë do të ndryshojë rrënjësisht në këto dy, tri ditë - shqetësimi më i madh i partnerëve ndërkombëtarë ishte për polarizimin. Pra, kjo mënyrë e gjithëpërfshirjes dhe zgjatjes së dorës është diçka që ata do ta mirëpresin”, tha Spajiq.

Procesi i regjistrimit të popullsisë në Mal të Zi deri më tani është prolonguar disa herë. Data e fundit kur duhet të fillojë regjistrimi ishte 1 nëntori, por me vendim të autoriteteve malazeze ky operacion statistikor do të nisë tri ditë më vonë.

TRT Balkan / agjencitë