Në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut sot është shënuar Dita Ndërkombëtare e Demokracisë, në prani të fëmijëve dhe të rinjve të shkollave fillore dhe të mesme.
Në prezantimin e tij para të pranishmëve, kryetari i Kuvendit Afrim Gashi tha se demokracia duhet të përmirësohet vazhdimisht, sepse, siç tha ai, është bazë për mbajtjen e rinisë në vend.
"Ne jemi këtu për të dërguar një mesazh për të mbështetur diversitetin, për të promovuar gjithëpërfshirjen dhe drejtësinë në shoqëri dhe mbi të gjitha, për të respektuar çdo individ, sepse ky është thelbi i demokracisë si një vlerë thelbësore e botës moderne", tha Gashi, duke shtuar:
"Krijimi i kushteve për integrim në shoqëri për çdo individ, pavarësisht nga përkatësia etnike, gjinia, feja, pozita shoqërore apo përkatësia politike është bazë për mbajtjen e të rinjve në vendin tonë, sepse demokracia nuk është diçka e mirëqenë, por duhet të përmirësohet vazhdimisht".
Ambasadorja e Zvicrës në Shkup, Veronique Hulmann, tha se Zvicra në vitet e kaluara ka mbështetur Kuvendin për funksionimin më të mirë të tij, për t'u bërë më transparent dhe më i pavarur, si dhe për të forcuar rolin e tij mbikëqyrës.
Ajo u dërgoi mesazh partive politike dhe institucioneve shtetërore që të ofrojmë më shumë hapësirë që të rinjtë të marrin pjesë dhe të ndikojnë në procesin e vendimmarrjes.
"Mbështetja jonë e ndihmoi Kuvendin të krijojë një buxhet të pavarur, të miratojë një plan strategjik, të forcojë aftësitë dhe ekspertizën e stafit, në dixhitalizimin dhe forcimin e transparencës, duke kultivuar marrëdhëniet me qytetarët dhe shoqërinë civile", tha Hulmann.
Përfaqësuesi i Institutit Ndërkombëtar Demokratik (NDI), Robert Scott Hazlett u tha të rinjve se ata janë pjesë e sistemit, ndonëse, siç tha ai, nuk mund ta ushtrojnë votën e tyre.
"Ju keni një zë, idetë tuaja, ëndrrat dhe shqetësimet tuaja kanë rëndësi. Kur ndani atë që mendoni me të tjerët – qoftë në shkollë, në shtëpi apo me miqtë – ju zbatoni demokracinë. Dhe, një ditë do të rriteni dhe do të jeni në gjendje të votoni dhe të merrni vendime më të mëdha për vendin tuaj", tha Hazlett.