Marrëveshje për kontributet shoqërore Shqipëri-Itali / Foto: ATA

Shqipëria dhe Italia arritën sot marrëveshjen për njohjen e kontributeve të sigurimeve shoqërore.

Nënshkrimi i marrëveshjes u bë në Romë nga ministri i Jashtëm Igli Hasani si dhe ministri i Jashtëm i Italisë, Antonio Tajani.

Në fjalën e rastit pas nënshkrimit të marrëveshjes, Tajani theksoi se finalizimi i kësaj marrëveshjeje ofron për shumë persona një siguri dhe një perspektivë pozitive për të ardhmen.

“Një marrëveshje shumë e rëndësishme. Kishte rreth 15 vjet që prisnim këtë firmë që garanton të drejtat e punonjësve italianë në Shqipëri ose të punonjësve shqiptarë në Itali për pensionet. Mendoj se ky vendim i përbashkët i Tiranës dhe Romës, ofron për shumë persona një siguri dhe një perspektivë pozitive për të ardhmen”, tha ministri Tajani.

Ministri Hasani në fjalën e tij e cilësoi nënshkrimin e marëveshjes një moment shumë i rëndësishëm për shqiptarët që punojnë në Itali.

“Janë 15 vjet përpjekje, mirënjohje të gjithë atyre që kanë kontribuuar për këtë moment. Mirënjohje ministrit Tajani për kontributin personal”, tha Hasani.

Janë rreth 550 mijë shtetas shqiptarë dhe rreth 20 mijë shtetas italianë që përfitojnë nga kjo marrëveshje. Nga zbatimi i saj do të sigurojnë bashkimin e periudhave kontributive, duke bërë të mundur që asnjë vit pune të mos humbasë.

Objekt i kësaj marrëveshjeje janë përfitimet nga skema e detyrueshme e sigurimeve shoqërore e Shqipërisë, që përfshijnë përfitimet për pension pleqërie, pension invaliditeti dhe pension familjar, sigurimin për përfitimin për sëmundjet dhe barrëlindjen dhe sigurimin e papunësisë.

Shtetet me të cilat Shqipëria ka marrëveshje në fushën e sigurimeve shoqërore janë Hungaria, Kanadaja, Türkiye, Belgjika, Luksemburgu, Maqedonia e Veriut, Republika Çeke, Republika Federale e Gjermanisë, Austria, Kroacia dhe Kosova. Kësaj liste i shtohet edhe Italia, me hyrjen në fuqi të marrëveshjes.

Ndërkohë që janë në proces marrëveshjet në fushën e sigurimeve shoqërore me Holandën, Rumaninë, Greqinë dhe Francën.

TRT Balkan / agjencitë