Në Maqedoninë e Veriut u hap konferenca ndërkombëtare "Engjëjt e biznesit dhe ekosistemi sipërmarrës në Maqedoninë e Veriut, mundësitë dhe sfidat".
Në hapje të konferencës të pranishëm ishin zv/kryeministri dhe njëherësh ministër i Mjedisit jetësor dhe i planifikimit hapësinor të Maqedonisë së Veriut Izet Mexhiti, ministri i Ekonomisë dhe i Punës Besar Durmishi, presidenti i Forumit Botëror të Investimeve të Biznes-Engjëjve (World Business Angel Investment Forum-WBAF) Baybars Altuntaş, afaristë, akademikë dhe të ftuar të tjerë.
Zv/kryeministri Mexhiti në fjalimin e tij theksoi rëndësinë e mbështetjes së engjëjve të biznesit edhe në ekonominë e gjelbër, duke shtuar se investimet e tyre do të nxisnin projekte që merren me çështje urgjente ekologjike.
"Pse duhet të mbështesim konkretisht engjëjt e biznesit në sektorët e gjelbër? Sepse ato lidhin hendekun midis inovacionit dhe zbatimit. Gatishmëria e tyre që të investojnë në sektorë me rrezik të lartë dhe me shpërblim të lartë, siç është teknologjia e gjelbër, i fuqizon sipërmarrësit të ndjekin ide që investitorët tradicionalë mund t'i shmangin", tha Mexhiti.
Ministri Durmishi u shpreh se aktiviteti i engjëjve të biznesit sjell potencial të madh për të ardhmen ekonomike të Maqedonisë së Veriut, duke shtuar se për këtë arsye, Ministria e Ekonomisë është në përgatitje e sipër të Ligjit për Engjëjt e Biznesit.
"Engjëjt e biznesit janë individë që jo vetëm kanë arritur sukses financiar, por gjithashtu kanë akumuluar përvojë dhe njohuri të vlefshme gjatë gjithë karrierës së tyre. Ata janë të gatshëm të investojnë pasurinë dhe urtësinë e tyre në ndërmarrjet e reja", tha Durmishi.
Duke theksuar se nuk është një detyrë shumë e vështirë që të krijohet një ekosistem për investitorët engjëj, Baybars Altuntaş tha se pjesa më e vështirë është që ai ekosistem të jetë i qëndrueshëm.
Altuntaş tha se duhet mundësuar një sistem të tillë ku engjëjt e biznesit do të kishin mundësi që investimet e bëra t'i kthejnë dhe t'i riinvestojnë në kompani tjera "start-up".
Duke theksuar rëndësinë e krijimit të kornizës ligjore, ai u shpreh se para miratimit të ligjeve, Türkiye renditej në vendin e 47-të nga 52 shtete në Evropë sa i përket tregut të engjëjve të biznesit. "Pasi u miratua ky ligj, dy vjet më vonë, Türkiye u ngjit në vendin e pestë, menjëherë pas Spanjës. A mund ta imagjinoni sa shpejt ka lëvizur", tha Altuntaş.