Qytetarët e Maqedonisë së Veriut vitin e kaluar me kartelat e tyre të pagesës jashtë vendit kanë shpenzuar 573,4 milionë euro, nga të cilat 34 për qind ose 195,6 milionë euro janë shpenzuar onlajn, duke blerë produkte dhe shërbime veçanërisht lidhur me udhëtimet dhe transaksionet për bileta ajrore dhe rezervime hotelesh onlajn.
Këtë e tregojnë të dhënat e Bankës Popullore të analizuara nga Asociacioni për Tregti Elektronike të Maqedonisë së Veriut (AETM). Krahasuar me vitin 2022, qytetarët e RMV-së kanë shpenzuar 25,3 për qind më shumë në vitin 2023 për blerjen e produkteve dhe shërbimeve me kartela pagese nga e-tregtarët e huaj.
Numri i e-transaksioneve me vendet e huaja është 4,6 milionë, ndërsa transaksioni mesatar është 43 euro. Gjithsej 72 për qind e vlerës dhe 80 për qind e numrit të transaksioneve të kryera janë në Holandë, Mbretërinë e Bashkuar, Hungari, Irlandë, ShBA, Luksemburg, Greqi dhe Gjermani.
Në vitin 2023, qytetarët e Maqedonisë së Veriut kanë shpenzuar më së shumti para në Holandë (27,5 milionë euro), ndërsa në Luksemburg kanë kryer numrin më të madh të transaksioneve (890 mijë).
Më shumë transaksione janë kryer në Holandë, Mbretërinë e Bashkuar dhe Hungari dhe kanë arritur një vlerë prej 77 milionë eurosh, që përfaqëson 39% të vlerës totale të realizuar onlajn jashtë vendit.