Në përfundim e sipër janë edhe përgatitjet e fundit të një tjetër evenimenti të madh ndërkombëtar “Samiti i Liderëve të Procesit të Berlinit”, i cili do të zhvillohet për herë të parë jashtë kufijve të BE-së, në Tiranë.
Kështu u shpreh sot Kryeministri Edi Rama ndërsa solli në vëmendje këtë ngjarje të rëndësishme me pjesëmarrjen e 6 kryeministrave të rajonit.
Po ashtu Rama njoftoi se pjesëmarrjen e tyre tashmë e kanë konfirmuar edhe Presidenti i Francës dhe Kancelari i Gjermanisë, Presidentja e Komisionit Europian, si edhe një sërë kryeministrash të vendeve anëtare të Bashkimit Europian.
Në kuadër të këtij samiti javët e fundit janë mbajtur në Tiranë disa ministeriale përgatitore.
Procesi i Berlinit po zhvillohet me mbështetjen e Komisionit Evropian, institucioneve financiare ndërkombëtare dhe shteteve anëtare të përfshira në Proces – Gjermani, Francë, Austri, Kroaci, Itali, Slloveni dhe Mbretëria e Bashkuar, së bashku me vendet e Ballkanit Perëndimor.