Qendra Shtetërore e Operacioneve të Zjarrfikësve në Kroaci, nga e diela e deri më sot ka regjistruar 1.829 ndërhyrje të ndryshme zjarri, në të cilat u angazhuan gjithsej 5.224 zjarrfikës me 1.761 makina, njoftoi sot Shoqata Kroate e Zjarrfikësve (HVZ).
Në zonën e Kostajnica ende është në fuqi gjendja e jashtëzakonshme kundër vërshimeve, ndërsa niveli i ujit të lumit Una në Kostajnicë është në rënie graduale, thuhet në komunikatën e ShKZ-së.
Sipat tyre, zjarrfikësit janë në terren, duke përdorur një pompë me kapacitet të lartë për të nxjerrë ujin.
Pjesa më e madhe e ndërhyrjeve ka qenë në zonën e Novskës, Kutinës, Lekenikut, Hrvatska Kostajnicës, Popovaçës, Sisakut, Voloderës dhe Gornja Graçenicës.
Deri më tani në qarkun Sisak-Moslavina janë regjistruar 112 ndërhyrje teknike të pompimit, heqjes së pemëve, pengimit të depërtimit të ujit në objekte dhe larjes së rrugëve, si dhe janë angazhuar 406 zjarrfikës me 116 makina zjarrfikëse dhe një mjet lundrues.
Zona e Jasenovacit është në gatishmëri për shkak të valës së ardhshme të ujit. Edhe zona e Petrinjës është gati për valën e ujit që pritet gjatë ditës dhe në orët e hershme të mbrëmjes dhe zjarrfikësit po bëjnë vazhdimisht pompimin e ujit, ndaj vetë banesat nuk janë në rrezik.
Në Qarkun e Karlovacit, deri më tani janë regjistruar 350 ndërhyrje teknike, sondazhe dhe aktivitete të tjera operacionale në lidhje me mbrojtjen nga përmbytjet, të cilat përfshijnë pompimin e ujit, heqjen e pemëve dhe procedurat e mbrojtjes nga përmbytjet: mbushja e thasëve me rërë dhe transportimi i njerëzve.
Ndryshe, ditëve të fundit rajone të shumta në Bosnjë e Hercegovinë, Kroaci dhe Serbi janë përmbytur nga të reshurat e shumta.