Mbi 6 milionë ukrainas rikthehen në shtëpi: Sa prej tyre janë në rajon?     Foto: IOM 

Pavarësisht se lufta po vazhdon, në Ukrainë deri më 26 shtator, sipas shifrave të fundit të Organizatës Ndërkombëtare për Migracionin (IOM), janë kthyer mbi 6 milionë njerëz. Publikimi i fundit i botuar nga IOM-i, thotë se është e pamundur të përcaktohet nëse kthimet janë të përhershme a të përkohshme, megjithëse në mesin e të kthyerve 85 për qind tregojnë se planifikojnë të qëndrojnë në shtëpitë e tyre.

"Ata që u kthyen në shtëpitë e tyre në rajonin e Lindjes, zakonisht qëndruan të zhvendosur më gjatë (mesatarisht 94 ditë), ndërsa ata që kthehen në shtëpitë në perëndim të Ukrainës qëndruan të zhvendosur për një kohë më të shkurtër (mesatarisht 61 ditë)", thonë nga IOM-i.

Anketat e fundit flasin se 57 për qind e të kthyerve ishin femra, 25 për qind foshnja ose fëmijë nën 17 vjeç dhe rreth 16 për qind ishin njerëz të moshës 60 vjeç e lart.

Zyrtarët ukrainas u kanë kërkuar qytetarëve që të mos kthehen në shtëpi këtë dimër pasi raketat ruse dhe sulmet me dron shkatërruan deri në 40 për qind të termocentraleve të Ukrainës. Erësira tashmë ka goditur shumë qytete dhe me temperaturat që bien nën zero, ngrohja është bërë një shqetësim i madh për muajt e ardhshëm.

“Doja t'u kërkoja njerëzve që të mos kthehen. Duhet të mbijetojmë dimrin. Por (nëse njerëzit kthehen), rrjeti elektrik mund të dështojë", tha Iryna Vereshchuk, një zëvendëskryeministre, në një intervistë të transmetuar në televizionin kombëtar ukrainas të martën dhe shtoi se "të ktheheni tani do të thotë të rrezikoni veten dhe fëmijët tuaj, të afërmit tuaj të pambrojtur".

Më shumë se 50 mijë ukrainas strehohen në Ballkanin Perëndimor

Për më pak se gjashtë muaj nga nisja e luftës në Ukrainë, në Ballkanin Perëndimor vlerësohet se kanë hyrë 182 mijë ukrainas. Kjo shifër e refugjatëve nga Ukraina, siç thonë nga IOM-i, është për periudhën nga 24 shkurti deri më 15 gusht.

Aktualisht, sipas të dhënave të IOM-it, në Ballkanin Perëndimor qëndrojnë rreth 51.396 refugjatë nga Ukraina.

TRT Balkan