Shkëmbimet tregtare të Shqipërisë me vendet e BE-së zënë 58,5 % të gjithë tregtisë.
Referuar raportit mbi tregtinë e jashtme të publikuar nga INSTAT, në periudhën janar – gusht të këtij viti, eksportet drejt vendeve të BE-së përbëjnë 72,7 % të eksporteve gjithsej, ndërsa importet nga vendet e BE-së përbëjnë 51,5 % të importeve gjithsej.
Partnerët kryesorë tregtarë janë Italia me 29,4 %, Kina me 7,8 %, Türkiye me 6,8 % dhe Greqia me 6,7 %.
Gjatë këtij tetëmujori vendet me të cilat Shqipëria ka pasur uljen më të madhe të eksporteve, në krahasim me një vit më parë, janë: Italia me 11%, Gjermania me 28,3 % dhe Kina me 23,2 %.
Ndërsa vendet me të cilat eksportet kanë pasur rritjen më të madhe, janë: Kosova me 10%, Greqia me 17,1% dhe Spanja me 9,9%.
Të dhënat e INSTAT-it tregojnë se gjatë këtij tetëmujori, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur uljen më të madhe të importeve, në krahasim me një vit më parë, janë Italia me 3,8 %, Türkiye me 21,1 % dhe Greqia me 22,5%.
Ndërsa vendet me të cilat importet kanë pasur rritjen më të madhe janë Kina me 31,5 %, Gjermania me 9,5 % dhe Zvicra me 78%.