Votuesit nga Shqipëria që jetojnë jashtë, për herë të parë kanë mundësi që këtë vit të marrin pjesë përmes votës në zgjedhjet parlamentare të 11 majit.
Procesi për regjistrimin në Platformën Elektronike të Zgjedhësve (PER) ka filluar më 11 janar dhe do të zgjasë deri në 4 mars.
Sipas shifrave zyrtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, numri i votuesve nga jashtë të regjistruar ka arritur shifrën 70.178, ndërsa deri sot në mëngjes janë miratuar 43.171 kërkesa.
Sipas gjinisë, në përqindjen më të lartë të regjistruesve janë meshkujt me 43.644 (62.2%) kërkesa, ndërsa femrat janë 26.534 (37.8 %).
Sipas të dhënave janë refuzuar 25.622 kërkesa.
Kërkesat për regjistrime janë nga vende të ndryshme të botës. Numri më i lartë i kërkesave është regjistruar nga Italia me 24.342, e ndjekur nga Greqia me 18.421, Gjermania me 9.220, si dhe nga ShBA-ja me 5.720.
Sa u takon kërkesave sipas qarqeve, numri më i lartë i aplikimeve është për Tiranën me 13.316, më pas bashkia e Fierit me 10.816, Korça me 8.197, Durrësi me 6.146 etj.