Në Gjykatën e Shkallës së Parë Elbasan është mbajtur seanca e radhës për procesin e ekstradimit të themeluesit të platformës Thodex, Faruk Fatih Özer, ndërkohë seanca për vendimin është shtyrë përsëri.
Në seancën e drejtuar nga gjyqtari Elis Dine, gjykata vendosi që seanca tjetër për procesin e ekstradimin të shtetasit turk Özer do të mbahet më 17 nëntor, ku sipas gjykatës pritet të shpallet edhe vendimi rreth çështjes në fjalë.
Gjatë seancës së sotme janë dëgjuar konkluzionet e palës mbrojtëse, ndërkohë gjykata ka shtyrë seancën për shpalljen e vendimit.
Kujtojmë se Prokuroria e Elbasanit ka depozituar në Gjykatën e Shkallës së Parë Elbasan kërkesën për ekstradimin në Türkiye të shtetasit turk Özer.
Aktualisht Özer ndodhet në masën e sigurisë arrest me burg në Shqipëri, ndërsa në shkallën e parë zhvillohet procesi gjyqësor në lidhje me ekstradimin e tij.
Çështja ndaj Faruk Fatih Özer
Özer, i cili kërkohej me buletin të kuq nga Türkiye dhe i shpallur në kërkim ndërkombëtar, u arrestua më 30 gusht në Shqipëri dhe akuzohet për veprat penale "Krijimi i organizatës kriminale" dhe "Mashtrimi me pasoja të rënda".
Prokuroria turke më 22 prill të vitit 2021 filloi zyrtarisht hetimin pas denoncimeve të përdoruesve për mos qasje në llogaritë e bursës së kriptovalutave Thodex dhe se pronari i kompanisë ishte larguar jashtë vendit.
Në këtë kuadër u konfirmua se pronari i kompanisë, i dyshuari Özer, ishte larguar jashtë vendit më 20 prill të vitit 2021.
Më pas u lëshua një urdhër ndalimi për shumë persona të dyshuar, përfshirë edhe për Özer ndaj të cilit më parë ishte nxjerrë një urdhër arresti.
Gjithashtu ndaj Özer më 23 prill të vitit 2021 ishte lëshuar një buletin i kuq nga Interpoli.
Ndërkohë, autoritetet turke kanë theksuar se Özer do të ekstradohet në Türkiye pas procesit gjyqësor në Shqipëri.
14 Nën 2022
Më 17 nëntor vendimi për ekstradimin e Fatih Özer-it
Gjatë seancës së sotme në Gjykatën e Shkallës së Parë në Elbasan janë dëgjuar konkluzionet e palës mbrojtëse, ndërkohë gjykata ka shtyrë seancën për shpalljen e vendimit.
AA
Lajme të ngjashme
Artikujt në këtë kategori
Çfarë tjetër do të donit të dinit?
Popullore
Gjykata Speciale kufizon kontaktet për Thaçin, Veselin dhe Selimin
Ky vendim, siç njofton Gjykata Speciale, vjen si përgjigje ndaj përpjekjeve për të ndërhyrë te dëshmitarët e për të penguar dëshmitë e tyre, dhe kërcënimeve të mëtejshme ndaj integritetit të procesit në çështjen gjyqësore Thaçi dhe të tjerët.