Meloni: Pakti i emigrantëve me Shqipërinë do të funksionojë / Photo: AA

Giorgia Meloni nuk tërhiqet. Ajo u zotua se marrëveshja me Shqipërinë për emigrantët do të funksionojë.

Duke folur në 80-vjetorin e gazetës ”Il Tempo” kryeministrja italiane tha se i kishte marrë parasysh pengesat dhe ato do të kapërcehen. “Marrëveshja Itali-Shqipëri për emigrantët do të funksionojë”, tha kryeministrja Giorgia Meloni.

“Pakti me Shqipërinë është një projekt objektiv që mund të ndryshojë qasjen që kemi ndaj menaxhimit të emigracionit të paligjshëm. Këtë e kuptojnë të gjitha vendet evropiane që po na mbështesin. Gjetja e mënyrave të reja për menaxhimin e migracionit është në konkluzionet e këshillit të fundit të BE-së e mbështetur nga 14 vende anëtare. Kush do të frenojë migracionin e kupton që kjo është kyç dhe kush nuk e do nuk e mbështet marrëveshjen. Pra, marrëveshja Shqipëri-Itali do të funksionojë, unë nuk do të lejoj të shkojë dëm një zgjidhje që ne kemi identifikuar në përputhje të plotë me ligjin italian dhe evropian, sepse ka një pjesë të politikës që nuk bie dakord”, tha ajo.

Ajo kritikoi sërish vendimin e Gjykatës së Romës dhe sqaroi se vendimi nuk lidhet vetëm me çështjen e Shqipërisë, por me të gjithë emigrantët e paligjshëm që mbërrijnë nga disa kombe. Kryeministrja e bëri të qartë se është e vendosur për të shkuar përpara me këtë projekt pavarësisht se çfarë thotë e majta italiane që është e ndikuar nga e majta evropiane.

“Në marrëveshjen me Shqipërinë është zbatuar e drejta evropiane”, tha Meloni duke shtuar se vendimi i gjykatës është diktuar nga një vizion shumë i ndryshëm nga ai i qeverisë.

ATA