Gjatë ditës së sotme presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatoviq, ka realizuar një vizitë zyrtare në Beograd me homologun e tij serb, Aleksandar Vuçiq.
Në kuadër të këtij takimi, të dy liderët mbajtën një konferencë të përbashkët për shtyp.
Sipas Millatoviqit, me vizitën e tij të sotme në Serbi, ata po hapin një kapitull të ri në marrëdhëniet dypalëshe.
Duke u shprehur se ka ardhur në Beograd pas vizitës së tij në Bruksel, presidenti malazez Millatoviq tha se “ardhja e Vuçiqit në ceremoninë e betimit në maj dhe ardhja ime këtu brenda një kohe të shkurtër janë të rëndësishme për ringjalljen e marrëdhënieve”.
Duke thënë se Serbia është një partner i rëndësishëm tregtar për Malin e Zi, Millatoviq nënvizoi se procesi i anëtarësimit në Bashkimin Evropian (BE) është një synim i përbashkët për të dyja vendet.
"Ne duhet të zhvillojmë më tej marrëdhëniet në vend që t'i prishim ato. Me këtë vizitë do të hapet një faqe e re në marrëdhëniet tona", tha presidenti Millatoviq.
"Kemi vendosur të forcojmë bashkëpunimin tonë"
Ndërkaq, presidenti serb Vuçiq tha se me homologun e tij malazez kanë biseduar për shumë çështje të rëndësishme, si ndërtimi i autostradave e hekurudhave dhe bashkëpunimi energjetik.
"Kemi vendosur të forcojmë bashkëpunimin dypalësh. Edhe njerëzit tanë duhet t'i ndiejnë marrëdhëniet tona të mira reciproke", shtoi ai.
"Ne kemi lidhje tradicionale me Malin e Zi, jo vetëm në fushën ekonomike, e cila shprehet në numra. Shumë serbë jetojnë në Mal të Zi dhe shumë malazezë jetojnë në Serbi", tha Vuçiq.
Vuçiq pohoi se "disa segmente" në Mal të Zi po përpiqen të ngjallin frikë kundër Serbisë, duke thënë: "Serbia do të përfshihet vetëm në çështjet që dëshiron Mali i Zi. Ne po flasim në mënyrë të civilizuar për të ndërtuar një të ardhme të përbashkët".
Në kuadër të vizitës së tij në Beograd, Millatoviq pritet të vizitojë shkollën fillore "Vlladisllav Ribnikar, ku në maj ndodhi një sulm i armatosur dhe humbën jetën nëntë fëmijë dhe një rojë.
Ndërkaq, më herët, disa mediume vendase e kanë përshkruar Millatoviqin si proserb. Ai fitoi raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale të mbajtura në Mal të Zi më 2 prill dhe që prej majit është presidenti i ri i vendit.