Millanoviq: Progresi i Shqipërisë pa reagime të duhura nga BE-ja / Foto: AA

Presidenti i Republikës së Shqipërisë Bajram Begaj mirëpriti në Tiranë homologun e tij kroat Zoran Milanoviq.

Pas këtij takimi në konferencën e përbashkët, Begaj u shpreh sot se nevojitet deeskalimi i situatës në veri të Kosovës, për të ruajtur paqen dhe për të garantuar sigurinë në rajonin tonë.

“Unë vlerësoj se dialogu është e vetmja rrugë për të arritur normalizimin e marrëdhënieve midis dy shteteve, dhe për të arritur në njohjen finale të Kosovës dhe pa dyshim respektimin e minoriteteve sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, theksoi ai.

Begaj foli po ashtu edhe për shqiptarët që jetojnë në Luginën e Preshevës, ku theksoi se “të njëjtat norma dhe vlera europiane që reflektohen për serbët që jetojnë në Kosovë duhet të reflektohen për t’u zbatuar edhe për shqiptarët që jetojnë në Luginën e Preshevës”.

“Shqiptarët që jetojnë në Luginën e Preshevës duhet dhe meritojnë të kenë standarde evropiane të trajtimit të tyre. Pasivizimi i adresave është një shqetësim shumë i madh. Ky shqetësim është i lidhur me një urdhër administrativ në lidhje me regjistrimin e popullatës dhe për zgjedhjet për cilën nuk është vetëm që çrregjistrohen shqiptarët, por humbasin çdo të drejtë tjetër të lidhur me trajtimin mjekësor me marrjen e dokumenteve të rëndësishme që atyre ju duhen”, theksoi ai.

Milanoviq: Progresi i Shqipërisë nuk është përcjellë me reagime të duhura nga BE-ja

Nga ana tjetër, presidenti Milanoviq theksoi se në mbi 20 vite është dëshmitar i përparimit të Shqipërisë në të gjitha aspektet.

"Fatkeqësisht ky progres nuk është përcjellë me reagime të duhura institucionale nga ana e Bashkimit Evropian. Të NATO-s po, por jo të BE-së. Duket që kemi një problem. Përderisa koha kalon më duket sikur pengesat bëhen disi më të fryra, më të vështira, më të ndërlikuara. Fatkeqësisht shumë pak gjëra janë duke u bërë për të ndryshuar kjo dhe Shqipëria nuk e di se çfarë tjetër do mund të bënte", tha Millanoviq.

Mbi tensionet e fundit në veri të Kosovës, presidenti kroat tha se, "Unë para dy javësh kam thënë që Serbia dhe presidenti Vuçiq (presidenti serb, Aleksandar Vuçiq) na kanë borxh përgjigje konkrete.

"Sanksione të caktuara ndaj Serbisë dhe ndaj qytetarëve të Serbisë në tërësi nuk do të sillnin asgjë, nuk sjellin asgjë. Nuk ka sanksione të cilat do të ishin frytdhënëse", shtoi Millanoviq.

TRT Balkan / agjencitë