Ministeriali BE-Ballkani Perëndimor për Punët e Brendshme dhe Drejtësinë ka nisur sot punimet në Tiranë.
Në ditën e parë të ministerialit me fokus te punët e brendshme dhe çështjet e sigurisë, ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, tha se ky forum ka një rëndësi të veçantë për shkak të ndryshimit radikal të mjedisit të sigurisë globale duke iu referuar kështu agresionit rus në Ukrainë.
Çuçi shtoi gjithashtu se Ballkani Perëndimor ka dhënë dhe po vijon të japë kontributin e tij lidhur me sigurinë e vendeve të BE-së në mënyrë të veçantë në kontekstin e migracionit ilegal apo luftës kundër krimit të organizuar.
“Lufta, përveç mizorisë e brutalitetit, po sjell edhe pasoja të mëdha në stabilitetin dhe sigurinë e vendeve europiane dhe me gjerë. Prandaj, politika e zgjerimit është thelbësore për të ardhmen e vendeve që aspirojnë të jenë pjesë e BE-së si në rastin e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Vendet tona po vijojnë bashkëpunimin në nivel rajonal duke përfshirë edhe fushën e sigurisë në kuadër të Open Balkan ose Procesit të Berlinit. Ky bashkëpunim tanimë ka rritur besimin reciprok duke përmirësuar ndjeshëm modus operandi tonë”, tha Çuçi.
Krahas ministrit të Brendshëm çek, Vít Rakušan dhe Komisioneres së BE-së për Punët e Brendshme, Ylva Johansson, në ministerial marrin pjesë gjithashtu edhe ministrat e brendshëm të Kosovës, të Maqedonisë së Veriut, të Malit të Zi, të Bonjë e Hercegovinës, përfaqësues të lartë të EUROPOL-it, të FRONTEX-it, Koordinatori Antiterrorizëm në BE si dhe përfaqësues të Suedisë dhe të Spanjës.